Vendosni fjalën kyçe....

Me armë zjarri me vete, arrestohet 19-vjeçari në Durrës, shpallet në kërkim 32-vjeçari


Policia ka arrestuar pas një ndjekje në aksin Manzë-Durrës, një 19-vjeçar pasi u kap duke qarkulluar me automjet, me armë zjarri me vete,

Gjithashtu u shpall në kërkim drejtuesi i automjetit i cili mundi të largohej duke përfituar nga errësira.

Në pranga ra shtetasi Orgito Vathaj 19-vjeç dhe u shpall në kërkim 32-vjeçari Azem Allçi.

Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, pas sigurimit të informacionit në rrugë operative se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, dy shtetas që qarkullon me automjet nga Manza në drejtim të Durrësit, kishin armë zjarri me vete, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Late hours”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar tip “Ford” dhe i kanë dhënë shenjë për ndalim, por drejtuesi i automjetit, sapo ka parë shërbimet e Policisë, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Orgito Vathaj, 19 vjeç (pasagjer).

Gjithashtu, kanë shpallur në kërkim shtetasin Azem Allçi, 32 vjeç, banues në Manzë, i cili mundi të largohej duke përfituar nga errësira.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Vijon puna për kapjen e drejtuesit të automjetit, shtetasit Azem Allçi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Moskallëzimi i krimit”-njofton policia.