Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se nëse Amerika tërheq mbështetjen ushtarake nga vendi i tij, Shtetet e Bashkuara do ‘humbin NATO-n’ dhe pozicionin e saj udhëheqës global.
Duke folur në një konferencë shtypi në Kiev në përvjetorin e pushtimit rus të vendit të tij, Zelensky iu përgjigj një pyetjeje mbi uljen e popullaritetin të mbështetjes së vazhdueshme për luftën në Ukrainë në Shtetet e Bashkuara mes amerikanëve.
“Nëse nuk ndryshojnë mendimin e tyre, nëse nuk na kuptojnë, nëse nuk mbështesin Ukrainën, do të humbasin NATO-n, do të humbasin ndikimin e Shteteve të Bashkuara, do të humbasin pozitën udhëheqëse që gëzojnë në botë.” – paralajmëroi Zelesnky.
“Ata do të humbin gjithashtu mbështetjen e Ukrainës me 40 milionë njerëz, me miliona fëmijë. A janë fëmijët amerikanë të ndryshëm nga tanët?” – vijoi ai, shkruan Breitbart.
Sipas një sondazhi të Gallup në fillim të këtij muaji, gati gjysma e të anketuarve republikanë (47 përqind) besojnë se administrata Biden po bën shumë për të mbështetur Ukrainën.
Në të kundërt, 41 për qind e demokratëve thanë se ata mendojnë se Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë mjaftueshëm, ndërsa të pavarurit janë aktualisht të ndarë në mënyrë të barabartë, me 35 për qind në secilën anë të çështjes.
Që nga nisja e sulmit rus ndaj Ukrainës shkurtin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar mbi 113 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare në Ukrainë.