Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha mbrëmjen e sotme se komisioni hetimor për çështjen ‘McGonigal’ duhet të ngrihet për të hetuar kryeministrin Rama lidhur me akuzat e opozitës ndaj kreut të qeverisë për korrupsionin e pretenduar ndaj ish-zyrtarit të FBI-së.
E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në Neës24, Tabaku shtoi se shumica po bën çmos për ta penguar komisionin. Sipas saj, përplasjet në opozitë duhet të marrin udhë me zgjidhje politike.
“Ne kemi bërë protesta të mëdha dhe çfarë arritëm, asgjë, qeveria ishte prapë aty. Protestat shërbejnë si një akt revolte, por nuk janë mënyra për të ardhur në pushtet dhe nuk do jenë asnjëherë. Unë besoj se PD ka shumë arsye për të protestuar që lidhen me shumë çështje. E ardhmja e PD nuk varet nga asnjë lloj vendimi, por duhet të jetë zgjidhje politike. Nuk flas dot me nëse. Ne kemi folur për korrupsionin dhe e kemi faktuar.
Fakti që kjo aferë arriti të ngrihej në objekt akuze në SHBA e fakton korrupsionin edhe politik që ka ndodhur. Nëse nuk do kishte asnjë lidhje nuk do ishte përfshirë fare qeverisja shqiptare. Ajo dëshmon atë që korrupsioni ekziston dhe është tani pjesë e aktakuzës. Ne kemi kërkuar interpelancë që nuk u lejua dhe mocionin me debat. Komisioni hetimor duhet të ngrihet medoemos. Pas komisionit të inceneratorëve qeveria nuk ka dashur të lejojë asnjë komision tjetër.” – tha Tabaku.