Gazetari Klodian Tomorri e ka quajtur “fund i fundeve” angazhimin shtetëror për ta mbajtur të fshehtë ngjarjen e vdekjes së 22-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko.
Tomorri shkruan se kjo është ngjarje flagrante që nuk po hetohet nga askush, dhe prokurorët e policët nuk kanë shpirt e as din e iman.
“Që Shqipëria ka qeveri dhe shtet të korruptuar këtë e dinë të gjithë. Dhe njerëzit kanë bërë paqe me këtë punë, nuk u bën më përshtypje. P.sh lajmet e vjedhjeve flagrante janë lajmet që bëjnë më pak zhurmë sot në publik.
Por që vritet njeriu, të mos e hetojë askush dhe madje të angazhohet gjithë shteti për të mbajtur ngjarjen fshehur, ky është fundi i fundeve. Këta nuk paskan din e iman.
Po mirë shpirt nuk kanë, por jam kurioz për një gjë. Këtyre policëve, prokurorëve apo politikanëve që kanë gisht tek kjo fshehja e ngjarjes së vajzës nga Kenia nuk u shkon ndonjëherë në mend; po sikur të gjithë policët, prokuroret dhe politikanët e botës të ishin si këta? Po sikur të njëjten gjë t’ja u bënin fëmijëve, motrave apo vëllezërve të tyre që i kanë jashtë?”-shkruan Tomorri.