Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për tentativë për vrasje, arrestohet 31-vjeçari në Durrës


Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për tentativë vrasje.

Shtetasi me inicialet S. E., 31 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua teksa hynte në territorin shqiptar përmes portit të Durrësit.

31-vjeçari akuzohet për një ngjarje të ndodhur në muajin prill 2019, në rrugën “Lisi”, në Fushë-Mëzez, ku në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasve D. H. dhe Z. Q.

Specialistët e Seksionit Për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, po tentonte të hynte në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.

Bazuar në këto informacione dhe në kuadër të kontrolleve të detajuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ushtruar kontrolle të detajuara dhe falë intervistimeve të thelluara, bazuar dhe në informacionet e siguruara më parë nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viaggo”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në hyrje, në Portin e Durrësit, i shtetasit S. E., 31 vjeç, banues në Tiranë.

31-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në muajin prill 2019, në rrugën “Lisi”, në Fushë-Mëzez, shtetasi S. E., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasve D. H. dhe Z. Q. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.