Vendosni fjalën kyçe....

Dalin pamjet e reja sesi urbani i “Unazës” merr para makinat e ndaluara në trafik


Pamje të reja kanë dalë në rrjet nga aksidenti masiv në Tiranë, ku urbani i “Unazës” përplasi disa makina në stacionin e autobusit te “Ura e Tajvanit”.

Në video shihet se si urbani merr përpara makinat të cilat kishin ndaluar në trafik.

Urbani i linjës së Unazës fillimisht përplas një autoveturë. Goditja që makina merr nga pas bën që të përplaset me një fuoristradë tip Porsche që e ka përpara. Pas goditjes, “Porsche’ përfundon në të djathtë duke goditur një pemë ndërsa makina në të majtë duke u përplasur me disa automjete të tjera.

Nga ky aksident zinxhir mbetën të plagosur 9 persona, të cilët më pas u dërguan në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Shoferi i autobusit dhe drejtuesit e mjeteve të tjera të aksidentuara iu nënshtruan testit të alkoolit, nga ku rezultoi se nuk ishin në efektin e pijeve alkoolike.

Shoferi i autobusit të “Unazës”, i cili shkaktoi aksidentin e shumëfishtë ka deklaruar se nuk mban mend asgjë. Ndër të tjera ka thënë se vuan nga zemra dhe diabeti.

“Nuk e mbaj mend fiks çfarë ka ndodhur në atë moment. Vuaj nga zemra dhe nga diabeti”, ka deklaruar shoferi.