Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra të vdekur pas mbytjes së barkës me emigrantë pranë Italisë


Trupat e më shumë se 40 emigrantëve janë gjetur në një plazh në Italinë jugore, pasi një barkë që besohej se transportonte më shumë se 100 persona u përmbys në breg të dielën për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Raportet fillestare thonë se trupat e 43 emigrantëve, që besohet se janë nga Irani, Pakistani dhe Afganistani, u gjetën në bregun e Steçato di Cutro në provincën jugore italiane të Crotones, në Kalabri.

Përpjekjet e shpëtimit janë ndërlikuar pasi ekipet e emergjencës nuk kanë informacion të besueshëm në lidhje me numrin e emigrantëve në anije, megjithatë sipas agjencisë së lajmeve ANSA, numri i viktimave mund të rritet.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur ‘dhimbjen e saj të thellë për jetët e shumta njerëzore të humbura nga trafikantët e qenieve njerëzore’ pas incidentit, duke u kërkuar gjithashtu njerëzve që të mos ‘spekulojnë’ për numrin e njerëzve që humbën jetën.

Kryebashkiaku i Cutro-s, Antonio Ceraso shtoi se zona nuk kishte hasur kurrë më parë një incident kaq tragjik sa ky.

Përditësime të mëtejshme priten nga autoritetet italiane ndërsa një operacion i madh kërkim-shpëtimi vazhdon.

Italia dhe Spanja janë destinacione të njohura për migrantët që përpiqen të kalojnë Detin Mesdhe në Evropë. Vlerësimet sugjerojnë se mbi 100,000 emigrantë mbërritën në Itali në vitin 2022, me emigrantët që vinin kryesisht nga Egjipti, Tunizia, Bangladeshi, Siria dhe Afganistani.