Kandidati i Berishës për Himarën, Fred Beleri është vënë së fundmi në qendër të kritikave sa i takon së shkuarës së tij politike, fushatës së Vorio Epirit. Së fundmi, dy ditë më parë Taulant Balla u shpreh se Beleri është i përfshirë edhe në masakrën e Peshkëpisë, gjë të cilën Beleri e ka mohuar. Beleri shkruan se zgjedhjet vendore do t’u japin fund dështimeve të socialistëve të cilët së fundmi sipas tij i ka zënë paniku ky i fundit ndërsa shton se do e dërgojë në Gjykatë për shpifje Ballën. I pyetur nga gazetarët, Balla garanton se pohimi i tij është i vërtetë, ndërsa thotë se Beleri ka shkelur sovranitetin e vendit.
Por duhet theksuar se Beleri së fundmi nuk ka pasur kritika vetëm nga kundërshtarët politik, por nga vetë opozita. Pak para se Balla të dilte me këtë deklaratë nga vizita e tij në Fier, deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku dhe ai i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i kërkuan popullit opozitar të mos ta votojnë, për shkak të fushatës së tij e cila cenon sovranitetin e vendit. Por për këto deklarata Beleri nuk ka asnjë përgjigje.
“Pas deklaratave të pavërteta të bëra ndaj meje nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dua të sqaroj opinionin publik se asnjë shpifje nuk do të më ndalojë nga gara elektorale e 14 majit, ditë kur himariotët do ti japin fund qeverisjes 12-vjeçare të PS-së në Bashkinë e Himarës.
Para pak ditësh, nga qyteti i Fierit, Taulant Balla tha se unë jam “një nga personat e dënuar me vendim gjykate për masakren e Peshkëpisë”. Kjo deklaratë e Ballës, e cila ndonëse në kuadër të sulmit të tij të zakonshëm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Sali Berisha, tenton që të njollosë emrin tim duke tentuar gjithashtu që të manipulojnë opinion publik me shpifje.
Deklaroj se këto shpifje ndaj meje, nuk janë gjë tjetër, veçse një përsëritje në vazhdën e shpifjeve dhe gënjeshtrave të bëra prej vitesh ndaj personit tim, duke u përpjekur të më përfshijnë me një ngjarje me të cilën unë nuk kam asnjë lidhje. Mendoj se z.Balla është mjaftueshëm i informuar se ndaj meje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar çështjen penale për shkak se: “nuk provohet në asnjë mënyrë lidhja ime me ngjarjen në fjalë”. Çështja është pushuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Kjo deklaratë e z. Balla tregon në fakt panikun që e ka zënë Partinë Socialiste nga humbja e pritshme dhe e thellë në zgjedhjet lokale në Himarë. Z. Balla do të marrë përgjigjen e merituar për këtë shpifje të artikuluar prej tij, pikësepari në rrugë ligjore dhe pastaj edhe në datën 14 maj nga gjithë komuniteti himariot.
Ndër të tjera, Beleri thotë se do i drejtohet Gjykatës për shpifje për deklaratën e Taulant Ballës.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla, i ka kthyer një replikë në distancë akuzës për shpifje nga kandadidati i Berishës për Himarën, Fredi Beleri. Sipas Ballës, Beleri është i dënuar për masakrën e Peshkëpisë, gjë të cilën kandidati i Berishës për Himarën e mohon, madje e akuzon për shpifje. I pyetur nga gazetarët Balla e riktheksoi akuzën e tij, ndërsa shtoi se ka shkelur pastër sovranitetin e vendit.
“Unë gjithmonë e përshëndes faktin kur ka një akuzë nga njëra palë, pala tjetër i drejtohet gjykatës për shpifje. Nëse mendoj që gënjej, referojuni njoftimeve të policisë. Ditën që PD e Shqipërisë vendos kandidat një person ndaj të cilit është ngritur akuzë për një grup që ka sulmuar e vrarë ushtarakë shqiptarë mendoj se na gjykon populli shqiptar. Një gjë ta dini, Sali Berisha, do të vinte dita që të kandidonte dhe këtë soj, nuk është e rastësishme por fundi i hidhur i një personi që tradhtinë ndaj shqiptarëve e ka bërë që ditën e tij të parë në pushtet. Ka 2 kandidatë, një të PD e një të foltores. I drejtohem çdo kandidati, është në turpin e PD që të kenë një person si Fredi Beleri, i dënuar për një ngjarje të rëndë dhe shkelje e pastër e sovranitetit të Shqipërisë. Nëse kthehemi në 1994, merrni deklaratat e Sali Berishës. Turpi është çfarë ka thënë atëherë dhe sot në 2023 e merr dhe e vë kandidatin e vet.”- tha Balla.