Qeveria kanadeze ka vendosur sanksione ndaj 12 zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe të Forcave të Zbatimit të Ligjit, për “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” gjatë shtypjes vdekjeprurëse të protestave.
Irani po përballet me protesta që nga vdekja e një gruaje të re, e cila gjendej në paraburgim për shkak të dyshimeve se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit apo shamisë së kokës.
Ministria për Punë të Jashtme e Kanadasë tha më 27 shkurt se në mesin e të sanksionuarve janë guvernatori i provincës Kurdistan, Esmaeil Zarei Kousha, gjenerali dhe komandanti i Gardës për këtë provincë, Seyeh Sadegh Hosseini dhe komandanti i forcave paramilitare Basij në Sanandaj të provincës Kurdistan, Morteza Mir Aghaei.
“Sot në listën e sanksioneve janë 12 zyrtarë të lartë nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe nga Forcat e Zbatimit të Ligjit të cilët kanë marrë pjesë në shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Iran, përfshirë edhe përmes shtypjes vdekjeprurëse të protestave në gjithë zonat kurde të Iranit Perëndimor”, u tha në deklaratë.