Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltari i DASH zhvillon takime në Tiranë: Prioritet bashkëpunimi ndaj luftës së Terrorizmit


Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Antiterrorin, z. Dan Guerrero zhvilloi një vizitë dy ditore pune në Shqipëri ku u takua në Ministrinë e Brendshme me zv.ministren, Romina Kuko, Drejtorin e Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm, Denion Meidani, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si dhe drejtues të Drejtorisë së Antiterrorit, në Policinë e Shtetit.

Gjatë takimit me zv.ministren Kuko, ku shoqërohej nga Sekretari Politik dhe Ushtarak  i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Tobei Arai, si dhe Drejtori i Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm, Denion Meidani, z. Guerrero shprehu se zhvillimi më tej dhe forcimi i kapaciteteve operacionale dhe i personelit të strukturave të Ministrisë së Brendshme përgjegjëse për luftën ndaj Terrorizmit dhe Ektremizmit të Dhunshëm janë prioritet për zyrën që ai përfaqëson.

“Njëkohësisht thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe strukturave përgjegjëse amerikane për antiterrorin dhe ektremizmin dhe mbështetje për reformat ishte gjithashtu një temë tjetër diskutimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Zv.ministrja Kuko pasi vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve për Shqipërinë, e në veçanti për mbështetjen që po jepet për transformimin e Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm në Agjenci Kundër Terrorizmit dhe Ektremizmit, e informoi zyrtarin e lartë të DASH mbi progresin që Ministria e Brendshme dhe Qendra Kundër Ektremizmit të Dhunshëm ka bërë në proceset e rehabilititmit dhe ri-integrimit të shtetasve shqiptarë, të kthyer nga zonat e konfliktit Siri dhe Irak, luftën kundër terrorizmit dhe ektremizmit si dhe reformat që po ndërmerren në tërësi në institucionet e sigurisë të Ministrisë së Brendshme.

Pas takimit me zv.ministren Kuko, Guerrero dhe Arai së bashku me përfaqësues të tjerë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, zhvilluan një tryezë të rrumbullakët pune pranë Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm ku u diskutua për luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ektremizmit. Në këtë tryezë, merrnin pjesë zyrtarë të Policisë së Shtetit, Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm, Interpol Tirana, Doganat etj.