Kreu i Partisë së Lirisë ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve e kërkimit shkencor.
Ai i referohet një raporti nga Indeksi Global i Inovacionit sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në rajon.
Meta thekon se shkaku kryesor për këtë prapambetje është qëndrimi arrogant i qeverisë si dhe mungesa totale e mbështetjet për universitetin, pedagogët e studentët.
Në fund kreu i Partisë së Lirisë bën thirrje për largimin sa më të shpejtë të qeverisë Rama për të shpëtuar falimentimin e Shqipërisë.
“Qeveria e Edi Ramës i ka shpallur luftë të hapur profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor. Prova më e qartë është Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2022, që e pozicionon Shqipërinë të fundit të rajon dhe Europë. Shkaqe kryesore për këtë renditje janë mungesa serioze e burimeve njerëzore dhe kërkimore, njohuritë jo të duhura teknologjike dhe sofistikimi jo efiçent i tregut. Performancën më të dobët, Shqipëria e ka sa i takon prodhimeve të dijeve dhe prodhimeve teknologjike.
Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë dhjetëra vende më lart. Qëndrimi arrogant dhe mungesa totale e mbështetjes për universitetin, për pedagogët dhe studentët duke mos u dhënë atyre asnjë ndihmë konkrete është arsyeja e vetme për këtë situatë të rëndë. Kjo Qeveri që është e para për korrupsionin në Europë është e fundit për inovacionin shkencor. Ndaj vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës shpëton falimentimin e Shqipërisë dhe nxit zhvillimin e shkencës dhe të ekonomisë.” – shkruan Meta.