Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi në emisionin “Now” në Euronews Albania, se kryeministri Edi Rama po i dorëzon bashkëpunëtorët e tij përfshi dhe ish zëvendësin e tij Arben Ahmetajn.
Meta deklaroi se Rama është i gatshëm të dorëzojë gjithçka për të ndenjur edhe një ditë më shumë në karrigen e kryeministrit.
“Unë mendoj që Edi Rama për të shtyrë edhe një ditë më shumë në karrigen e kryeministrit, është gati të lëshojë dhe të dorëzojë gjithçka, sepse ai nuk njeh asnjë lloj princimi, asnjë lloj morali.
Ai i ka futur me ndërgjegje të gjithë këta, i ka futur me ndërgjegje në paligjshmëri”, theksoi Meta.
Meta u shpreh më tej se Ahmetaj, por edhe të tjerë duhet të ndiqen penalisht edhe nëse nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
“Këtë gjë nuk mund ta them me siguri të plotë, sepse me këtë çështje është marrë Lëvizja Socialiste për Integrim, zonja Kryemadhi mund të ishte intelekutorja më e përshtatshme sepse është marrë me shumë detaje me çështjen.
Por padyshim edhe ai mund të ishte dhe ai duhet të jetë për përgjegjësinë e tij, për aq sa e ka, për të gjitha ato vendime që ka kaluar në mbledhjet e qeverisë, edhe nëse nuk ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë”, deklaroi Meta.