Vendosni fjalën kyçe....

Rrjedhja nga laboratori kinez origjina më e mundshme e Covid19 – Departamenti amerikan i Energjisë


Një rrjedhje laboratorike ishte origjina më e mundshme e pandemisë Covid-19, sipas Departamentit të Energjisë të SHBA-së, raportoi Wall Street Journal.

Një raport i klasifikuar i inteligjencës dhënë Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarëve kryesorë të Kongresit tha se virusi ka të ngjarë të jetë përhapur për shkak të një fatkeqësie në një laborator kinez, raportoi WSJ të dielën.

Departamenti i Energjisë kishte qenë më parë i pavendosur për burimin e virusit. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha të dielën se ka ‘një shumëllojshmëri pikëpamjesh’ në komunitetin e inteligjencës amerikane nëse virusi e ka origjinën natyrshëm apo nga një laborator dhe ai ‘nuk mund të konfirmojë ose mohojë’ raportin e Wall Street Journal.

Presidenti Joe Biden u ka kërkuar Laboratorëve Kombëtarë të SHBA-së, të cilët janë pjesë e Departamentit të Energjisë, të jenë pjesë e vlerësimit, tha Sullivan në ‘State of the Union’ të CNN.

“Dhe nëse fitojmë ndonjë njohuri apo informacion të mëtejshëm, do ta ndajmë atë me Kongresin dhe do ta ndajmë me popullin amerikan”, tha ai.

“Por, tani për tani, nuk ka një përgjigje përfundimtare që ka dalë nga komuniteti i inteligjencës për këtë pyetje.”

Kina ka reaguar prej kohësh ndaj çdo sugjerimi se virusi Covid-19 e ka origjinën në një laborator. Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zbulimi i departamentit erdhi në një përditësim të një dokumenti nga zyra e drejtores së Inteligjencës Kombëtare Avril Haines, raportoi WSJ. Ai pason një konstatim që thuhet se është lëshuar me ‘besim të moderuar’ nga FBI-ja se virusi u përhap pas rrjedhjes nga një laborator kinez.

Gjetjet e përditësuara të departamentit të energjisë bien ndesh me raportet e katër agjencive të tjera të inteligjencës amerikane që arritën në përfundimin se epidemia filloi si rezultat i transmetimit natyror nga një kafshë e infektuar. Dy agjenci mbeten të pavendosura.

CIA mbetet e pavendosur mes teorive të rrjedhjeve dhe transmetimit natyror, sipas studimit të Këshillit Kombëtar të Inteligjencës. Por ndërsa raporti fillestar i vitit 2021 nuk arriti në një përfundim, ai ofroi një pikëpamje konsensusi se Covid-19 nuk ishte pjesë e një programi kinez të armëve biologjike.

I pari që akuzoi laboratorin kinez të Wuhan-it për  Covid-19 ishte ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili e emërtoi atë ‘virusi kinez’. Megjithatë deklaratat e tij asokohe u cilësuan si konspirative nga mediat tradicionale amerikane.