Vendosni fjalën kyçe....

Sekretarja amerikane e Thesarit: Do i japim Ukrainës 10 miliardë dollarë në ‘muajt e ardhshëm’


Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës 10 miliardë dollarë ‘në muajt e ardhshëm’, gjatë komenteve që bëri të enjten në samitin e financave të ‘G-20’ në Indi.

Ajo deklaroi:

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë krenarë që mbështesin luftën e popullit ukrainas për liri. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 46 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë, ekonomike dhe ndihma humanitare për Ukrainën. Ndihma jonë ushtarake përfshin armët kryesore mbrojtëse që ka kërkuar Ukraina, siç është sistemi i mbrojtjes nga raketat Patriot. Dhe ndihma jonë ekonomike po e bën të mundur rezistencën e Ukrainës duke mbështetur frontin e brendshëm: financimin e shërbimeve publike kritike dhe ndihmën për funksionimin e qeverisë. Në muajt e ardhshëm, ne presim të ofrojmë rreth 10 miliardë dollarë mbështetje ekonomike shtesë për Ukrainën.”

Yellen i bëri thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar që gjithashtu të sigurojë më shumë para për Ukrainën.

“Ne përgëzojmë aleatët tanë për rritjen e ndihmës së tyre të drejtpërdrejtë. Dhe ne besojmë se është kritike që FMN të lëvizë me shpejtësi drejt një programi plotësisht të financuar për Ukrainën, siç kanë thënë ata se do bëjnë. Mbështetja e vazhdueshme dhe e fuqishme për Ukrainën do të jetë një temë kryesore e diskutimit gjatë kohës sime këtu në Indi.” – shtoi ajo, shkruan Breitbart.

Ndihma e vazhdueshme e SHBA-së për Ukrainën ka nxitur disa kundërshtime në mesin e publikut amerikan.

Një sondazh i NBC News muajin e kaluar tregoi se 47% kundërshtojnë miratimin e Kongresit për më shumë ndihmë për Ukrainën, ndërsa 49% miratojnë, me një diferencë gabimi prej 3%.

Një video e qarkulluar së fundmi me komentet e presidentit Joe Biden që bëri vitin e kaluar në lidhje me pagesën e pensioneve të Ukrainës, nxiti zemërimin nga e djathta.