Vendosni fjalën kyçe....

Akademia e Shkencave “përplaset” me Fugën për kandidimin dhe ndryshimet ligjore (Replikat)


Shprehja e interesit të akademikut Artan Fuga për të kandiduar për kryetarin e Akademisë së Shkencave ka sjellë një shkëmbim replikash me Kryesinë.

Pas shprehjes së interesit për kandidim ka reaguar, Kryesia e Akademisë së Shkencave e cila shkruan në një reagim në rrjetet sociale se propozimi i Fugës për lobimet jashtë-institucionale është dhunim dhe cenim i autonomisë së Akademisë së Shkencave.

Madje në reagimin e saj Kryesia ka anatemuar edhe propozimin që sipas saj ka bërë Fuga disa vite më parë për ndalimin e të drejtës së votës për anëtarët e Kryesisë të Akademisë së Shkencave që kalojnë moshën 68-vjeç.

Pas reagimit të Kryesisë e menjëhershme ka qenë përgjigjja e Artan Fugës i cili thotë se në asnjë moment nuk ka dhënë deklarata fyerës apo denigruese.

Ai zotohet se do të botojë deklaratat e deputetëve që duan të ndryshojnë ligjin i cili i hap rrugë rikandidimit të personave që aktualisht kanë poste drejtuese në Akademinë e Shkencave.

Më tej Fuga thotë se nuk tërhiqet nga kandidimi i tij dhe në asnjë moment nuk do reshtë së kundërshtuari ndryshime ligjore që sipas tij janë të gabuara.

Reagimi i Kryesisë:

Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.

Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri.

Me këtë qëndrim Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë-institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen “risi” kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues.

Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë.

Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim.

Sa u përket mandateve të anëtarëve të Kryesisë, si ligji i ri, dhe ai i mëparshëm e amendamentet që po shqyrtohen, kanë pasur e kanë të drejtën dhe kufizimin për dy mandate e jo më shumë për të njëjtin funksion.

Kryesia e Akademisë së Shkencave

Tiranë, 28 shkurt 2023

Reagimi i Artan Fugës:

Kryesia e Akademisë të Shkencave paska reaguar sot me një deklaratë publike shumë konfuze për një tekst akademikësh ku pak a shumë shprehet se unë, pra Artan Fuga paskam thënë të pavërteta kur jam shprehur se ka përpjekje deputetësh, dy më saktë, që po iniciojnë një ndryshim ligjor që krijojnë kushte që kryetari etj. të rizgjidhen përsëri në vijimësi për një mandat të dytë duke ndryshuar ligjin në fuqi.

Unë do të botoj deklarata publike të deputetit që ka qenë i angazhuar në këtë pikë. Pa merak.

Nesër do të keni edhe shkresat zyrtare që më vërtetojnë mua matematikisht, pra si një edhe një që bëjnë dy, jo tre!

Nëse faktet Kryesia e Akademisë të Shkencave i quan të dhëna të rreme, fyerje, etj., unë nuk di si mund të shërbej për ta korrektuar këtë epistemologji.

Me vjen keq që Kryesia e Akademisë humbet kohën kot sepse asnjë ofendim nuk kam bërë për asnjë deputet në deklaratën publike që shpreh projektin tim të mundësisë për të kandiduar.

Dhe sa më shumë nga të tilla reagime lincuese, me të cilat jam mësuar, aq më shumë rritet vendosmëria për të kandiduar! I falënderoj që nuk ma heqin këtë të drejtë.

Pse shqetësohen? Sigurisht që kundërshtimi im si qytetar dhe akademik kundër këtij ndryshimi ligjor është e drejta ime që nuk e heq dot as Zoti jo më kryesia e Akademisë së Shkencave, megjithë konsideratat e mia të larta për të!

Por si fillim pyes : a gënjen Artan Fuga apo media dhe shkresat për faktin e relatuar?

Publiku mund ta shohë! Lutem të ruhet edukata dhe etika e ligjërimit!

Faleminderit!