Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet për ryshfet nga SPAK, arrestohet oficerja e policisë gjyqësore në Tiranë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar punonjësen e sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë pas vendimit të GJKKO-së e cila i ka caktuar masën arrest shtëpie.

Shtetasja A.N akuzohet nga SPAK se në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore ka kërkuar marrjen e ryshfetit duke premtuar lehtësim të pozitave penale të personave që hetonte.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësen e policisë A.N., me detyrë Specialiste në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Caktimi i masës u bë pasi Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kreu hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga hetimet është krijuar dyshimi i arsyeshëm se 47-vjeçarja, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, ka kërkuar e marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme”-thuhet në njoftimin e AMP-së.