Britania dhe BE-ja kanë nënshkruar një marrëveshje për një çështje pas Brexit në lidhje me Irlandën e Veriut për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve tregtare në rajon.
Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve të nivelit të lartë të hënën në Ëindsor, Angli, midis kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Pakti do përcaktojë se si do trajtohen kontrollet kufitare në Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por ndan një kufi tokësor me Republikën e Irlandës, një vend anëtar i BE-së. Para Brexit-it, ishte e lehtë të transportoheshin mallra përtej atij kufiri, sepse të dyja palët ndiqnin të njëjtat rregulla të BE-së.
“Është arritur një marrëveshje. Marrëveshja është përmbyllur”, tha një burim i lartë i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, cituar nga The Independent.
Sipas The Guardian, duke cituar gjithashtu burime qeveritare, Sunak tha në takim se Mbretëria e Bashkuar dhe BE kanë pasur dallimet e tyre, por ata janë miq. Ky është fillimi i një ‘kapitulli të ri’, thuhet se tha ai.
“Kam kënaqësinë të raportoj se tani kemi bërë një përparim vendimtar. Së bashku ne kemi ndryshuar protokollin origjinal dhe sot po shpallim kuadrin e ri Ëindsor”, citohet të ketë thënë kryeministri.
“Marrëveshja e sotme ofron tregti të qetë brenda të gjithë Mbretërisë së Bashkuar, mbron Irlandën e Veriut në bashkimin tonë dhe mbron sovranitetin për popullin e Irlandës së Veriut”, shtoi ai.
Sunak tha gjithashtu se ai pret që Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së Veriut (DUP) dhe partitë e tjera ‘të marrin kohë’ për të vlerësuar marrëveshjen e protokollit.
Von der Leyen e quajti rezultatin e negociatave ‘të jashtëzakonshëm’, duke vënë në dukje se marrëveshja do siguronte që të gjitha ushqimet dhe ilaçet e disponueshme në Britani të jenë të aksesueshme edhe në Irlandën e Veriut.