Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, hap pozitiv drejt njohjes


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar takimin në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Meta ka vlerësuar mundësinë e takimit për si një hap pozitiv drejt njohjes.

Ish-presidenti nuk la pa falënderuar Kurtin për përgatitjen në takim dhe konstruktivitetin e treguar si dhe shpreson që Vuçiç të gjejë guxim që të nënshkruajë propozim-marrëveshjen sa më shpejt.

Mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjelltë, paqes dhe integrimit europian të Kosovës dhe Serbisë.

Teksti zyrtar i marrëveshjes pati elemente që meritojnë vlerësim pozitiv, përderisa palët zotohen që të udhëhiqen nga synimet e parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për barazinë sovrane të Shteteve, respektimin e Pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, si dhe të Drejtën për Vetëvendosje.

E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv.

Shpresoj që edhe Presidenti i Serbisë ta gjejë guximin e të nënshkruajë sa më shpejt, sepse koha kurrë nuk mund të kthehet pas.

E ardhmja e rajonit tonë nuk është te skemat dhe taktikat si puna e “Ballkanit të Hapur”, as te “tërheqjet e veshëve” por te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin europian dhe i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin”-shkruan Meta.