Vendosni fjalën kyçe....

NATO është ‘de facto’ në luftë me Rusinë – Peskov


Perëndimi i udhëhequr nga SHBA duhet të ndryshojë qasjen e tij ndaj sigurisë globale dhe të marrë parasysh shqetësimet e Moskës, përpara se të rinovohen bisedimet për marrëveshjen e re bërthamore START, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Duke folur për gazetën ‘Izvestia’ për një intervistë të botuar të martën, Peskov tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën kanë ‘ndryshuar rrënjësisht’ që kur Presidenti Putin formuloi projekt-traktatet e sigurisë që u dërguan në Uashington, Bruksel dhe Vjenë në fund të vitit 2021, vetëm për të dëgjuar se ‘ata nuk ishin gati të flisnin për asgjë me ne’.

“Nëse do të donin, ata mund të ishin ulur në tryezën e bisedimeve atëherë, përpara vendimit për të nisur një operacion ushtarak në Ukrainë,” tha ai.

Peskov argumentoi se NATO-ja tani është plotësisht e përfshirë në armiqësi, duke vënë në dukje se ‘inteligjenca e tyre po punon kundër nesh 24 orë në ditë, armët e tyre i dërgohen Ukrainës falas për të qëlluar mbi ushtrinë tonë, për të mos përmendur që ata qëllojnë ndaj qytetarëve ukrainas’.

“Në momentin kur NATO de facto u bë pjesëmarrëse në konfliktin në Ukrainë, situata ndryshoi,” vazhdoi zëdhënësi.

“Në fakt, blloku i NATO-s nuk po vepron më si kundërshtari ynë i kushtëzuar, por si armiku ynë. Presidenti Putin ishte dhe mbetet i hapur për çdo kontakt që mund ta ndihmojë Rusinë të arrijë qëllimet e saj në një mënyrë ose në një tjetër. Mundësisht në mënyrë paqësore, në tryezën e negociatave, por kur kjo nuk është e mundur, edhe me mjete ushtarake, siç po shohim tani.” – theksoi Peskov.