4 persona janë arrestuar në Fier ndërsa 8 të tjerë janë proceduar penalisht pas një aksioni të policisë kundër prostitucionit.
Gjatë operacionit ‘Baza’ janë bllokuar tre lokale të cilët përdoreshin për ushtrim prostitucioni.
Në pranga kanë përfunduar N G., 69 vjeç dhe B.M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”. N.A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen “Kastriot” dhe T.H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”.
Sipas policisë, katër personat në fjalë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
Njoftimi
“Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bazat”.
Operacioni pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier dhe Prokuroria e Fierit.
Bllokohen 3 ambiente (2 lokale dhe një hotel), të vëna në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.
Vihen në pranga 4 pronarët e këtyre ambienteve, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme edhe 8 shtetas të tjerë, të cilët u proceduan penalisht.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, të mbështetur nga inteligjenca informative, siguruan prova për disa ambiente të vëna në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
Në bazë të këtyre provave të siguruara gjatë hetimit proaktiv, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetas që kishin në administrim lokale dhe hotele të vëna në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.
Pas caktimit të këtyre masave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bazat”.
Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, për 4 shtetas, banues në Fier, konkretisht:
-N. G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”;
-N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen “Kastriot”;
-T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Bazat”, rezultoi se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 8 shtetas, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.
Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.”