Vendosni fjalën kyçe....

Berisha tregon detaje për protestën e 3 marsit: Nuk është presion ndaj Gjykatës, forcë tregon edhe paqja


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli në emisionin “Milori Live” në Klan News mbi protestën e 3 marsit.

I pyetur për protestën e 3 Marsit, Berisha tha se ajo do të jetë paqësore dhe do të japë mesazhe të rëndësishme.

“Kjo nuk është protestë apo revolucion për PD-në por për interesat më jetike të çdo shqiptari që pavarësisht bindjeve politike beson se ky vend nuk mund të shuhet me këto ritme. Nga kjo Shqipëri që kemi sot pas 16 vitesh. Fillon në ora 12 të ditës, vazhdon me programin e saj, mesazhet e saj, vetë protesta tregon forcë, e cila nuk është vetëm dhuna, forcë është dhe paqja, komunikimi që jep. Synohet të dërgohet një mesazh i qartë se ky revolucion nuk ka të ndalur dhe se Edi Rama është një kufomë politike shumë e rrezikshme për vendin dhe më gjerë”, tha Berisha.

Më tej Berisha tha se protesta nuk do jetë presion ndaj gjykatës e cila do japë vendimin po atë ditë për vulën e PD-së.

Është absolute, e qartë si drita e diellit se ku është shumica dhe kush e ka ndjekur pikë për pikë legjitimitetin dhe kush ka shkelur parimin e drejtësisë duke u bërë palë. Nuk besoj se gjykatësit do të pranojnë në këto kushte të gjykojnë për një palë që s’ka qenë palë dhe s’do pranojnë kurrë të përjashtojnë pluralizmin.

Ky është revolucion, ne jemi të përgatitur për proceset legjitime zgjedhore me radhë, nuk heqim dorë nga lëvizja jonë. Nuk ka stabilitet Shqipëria me Edi Ramën. Ne ndjekim procesin zgjedhor me shumë vëmendje, ka shkelje monstruoze, të paimagjinueshme. Kjo nuk do të thotë se do  e bojkotojmë, do marrim pjesë në zgjedhje dhe vazhdojmë procesin. Ka një ndërhyrje të Ramës në këtë proces, Olta Xhaçka i thotë një ambasadori para një jave se është vendosur në këtë mënyrë me gjykatësit.

Po të marrim këtë dhe po të marrim deklaratën e Ballës në Kuvend tregon ndërhyrjet e tyre të jashtëzakonshme. Unë garantoj që s’ka asnjë qëllim, protesta vazhdon pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, nuk është presion ndaj Gjykatës. Kemi një armik, e kemi të fiksuar”, u shpreh Berisha.