Kreu i KQZ-së Celibashi paralajmëroi kryebashkiakët e vendit që të në përurimet e investimeve të mos ketë ministra, deputetë e funksionarë të tjerë politikë, në të kundërt do gjobiten.
Ai tha se shpërndarja e fondeve për partitë lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit do bëhet pas 31 marsit, që do jetë edhe afati i fundit për partitë për të dorëzuar raportin financiar për vitin 2022.
“Qoftë kryetarët e bashkive apo funksionarët e tjerë publikë janë të lirë të ushtrojnë kompetencat e tyre, por është e dënueshme nëse këto aktivitete i kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, deputetëve apo funksionarëve të tjerë politikë. Nëse shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, nuk mund të shkojnë me deputetë apo funksionarë publikë. Do bëjmë shpërndarjen e fondeve pas 31 marsit, pasi kjo është data e fundit që partitë duhet të sjellin raportin financiar për vitin 2022. Kështu parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Do shohim nëse partitë e kanë sjellë raportin financiar apo jo. Partia që nuk e sjell këtë raport nuk do ta përfitojë këtë fond.” – tha Celibashi.