Vendosni fjalën kyçe....

FEMINICID NË TIRANË – Ekzekutohen 3 gra brenda 2 orëve


 

E mërkura ka qenë një ditë e zezë për Tiranën dhe mbarë shoqërinë shqiptare, pasi dy krime të rënda kanë lënë të vrara tre gra dhe tre të tjera të plagosura.

Krimi i parë ka ndodhur në mesditë në Paskuqan, ku 40 vjeçari Dan Hutra ka hyrë në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt të gjithë familjarëve që ndodheshin aty.

Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosura Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja  e tij dhe nëna e saj), por fatkeqësisht mbetën të vrara , Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Por mësohet se para se Dan Hutra, të shkonte në banesën e ish-partneres dhe të hapte zjarr, fillimisht ka plagosur me thikë ish- të dashurën e tij në Astir, duke i  marrë më pas një shumë të madhe parash.

E plagosura Marjana Gurakuqi, 40 vjeçe, e cila u paraqit për të marrë ndihmën mjekësore, ishte plagosur me mjet prerës.

Hutra autori i dyshuar është arrestuar më parë për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

Ndërkohë policia po punon për kapjen e tij.

 

Krimi i dytë i rëndë ndodhi pak më vonë në Kamzë, ku një 31 vjeçare mbeti e vrarë në oborrin e saj të shtëpisë.

Viktima është Etleva Kurti e cila është ekzekutuar në rrethana ende të paqarta nga ana e policisë.

 Ndërkohë fqinjët thanë se kanë dëgjuar 3 krisma.

 Fqinjët vrasjen e saj e lidhin me çështje hasmërie, pasi vëllai i Etlava Kurtit, Vladimir Kurti është dënuar me burg përjetë.