Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për televizionin ‘Star Plus’ deklaroi se Shkodra është asgjësuar administrativisht.
Meta akuzoi qeverinë se nuk i ka kushtuar vëmendjen e merituar.
Kreu i PL-së theksoi se Shkodrës i janë hequr të gjitha institucionet e rëndësishme nga juridiksioni.
“Është për të ardhur keq, është një trishtim i madh që Rilindja nuk i ka kushtuar vëmendjen e merituar Shkodrës, sepse të asgjësosh qendrën më të madhe administrative të Veriut të Shqipërisë dhe një nga 3 qendrat më të mëdha administrative të vendit, mendoj që nuk është rastësi, por është me vetëdije një përpjekje për të zvogëluar peshën e Shkodrës në zhvillimet aktuale dhe sidomos në zhvillimet e ardhshme të vendit. Si mund të iki drejtoria e Arsimit nga Shkodra. Shkodra është një djep i arsimit, së bashku me Korçën. Si mund të iki drejtoria e Shërbimit Informativ nga Shkodra? Si mund të ikin Arkivat nga Shkodra, kur dihet shumë mirë se çfarë pasurie kanë patur dhe kanë arkivat e Shkodrës, dhe nuk mundet kurrsesi që arkivat e Shkodrës të menaxhohen nga një qytet më modest. Si mund të iki Bordi I Kullimit dhe Agjencia e Ujërave nga Shkodra? Shkodra është rajoni ujëmbledhës më i madh i Shqipërisë dhe i gjithë rajonit. Janë specialistët më të mirë të Shqipërisë historikisht dhe ne duhet të investojmë në Shkodër dhe sidomos tek të rinjtë shkodranë që të specializohen dhe të vazhdojnë në këtë rrugë dhe këtë pasuri të madhe duhet ta shfrytëzojmë për mirëqenien e komunitetit dhe për zhvillimin ekonomik. Si mund të ikin këto institucione nga Shkodra. Është një marrëzi e vërtet dhe e qëllimshme. Si mund të mbetet Shkodra pa gjykata? Hiqet Gjykata e Apelit, hiqet Gjykata Administrative, hiqet Gjykata e Shkallës së Parë? Ku do shkojnë këta njerëz? Ku do i zgjidhin hallet e tyre? Dhe jo vetëm hiqen këto institucione, hiqen këto shërbime që jua bëjnë të vështirë jetën qytetarëve të Shkodrës, por hiqen nga puna intelektualë dhe profesionistë. Kujt i shërben kjo? Të mos harrojmë dhe Universitetin. Nga 12 mijë studentë është katandisur në më pak se 5 mijë studentë. Të gjitha këto janë veprime të qëllimshme të Rilindjes për t’i zbehur rëndësinë Shkodrës sot dhe në të ardhmen”-deklaroi Meta.