Është shtuar bilanci i viktimave në Greqi nga aksidenti tragjik i trenave.
Zjarrfikësit deklaruan se janë 57 trupa të dërguar në morg, edhe pse nuk përjashtohet skenari i frikshëm disa pasagjerë të mos gjenden kurrë.
Vetëm 11 viktima janë identifikuar deri tani, ndërsa për 33 do të përdoret testi i ADN. Sakaq 14 trupa janë plotësisht të djegur, të cilët janë transferuar sot në morg.
Intercity kishte shpejtësi 166 km/orë në momentin e përplasjes ndërsa temperatura në dy vagonët e parë pas përplasjes ka arritur në 1500 gradë C, gjithçka ka shkrirë, thonë forcat e ekipit special të shpëtimit, që e përshkruajnë si eksperienca më shokuese që kanë jetuar deri më sot.
Mediat kanë publikuar pamjet e përplasjes që në kushtet e errësirës, të japin përshtypjen e një shpërthimi të madh.
Teksa dje në mbrëmje kanë dhënë dorëheqjen kryesia e organizatave të hekurudhave të Greqisë, OSE dhe Ergose, sot përgjigjet në prokurori përgjegjësi i stacionit të trenit në Evangjelismo Tembi që urdhëroi kalimin e trenave. “Zbatova udhëzimet por nuk funksionoi tabela” ka dëshmuar në polici, duke pranuar se u mjaftua në procedurën automatike. Sipas dëshmive të punonjësve të tjerë, u harrua të ripërdoret çelësi pas kalimit të një treni lokal për rikthimin e Intecity në shinat e duhura.
Pak ditë më parë, në 7 shkurt sindikata e personelit të hekurudhës paralajmëronte se sistemet e vjetërsuara duhen zëvendësuar urgjentisht “aksidentet e vogla të përditshme janë paralajmërues të një të aksidenti fatal, nëse nuk do merren masa urgjente”.
Komisioni i BE paditi Greqinë në 15 shkurt për mosrespektimin e masave të sigurisë në linjën hekurudhore, pavarësisht fondeve shumë milionëshe të investuara nga BE herë pas here.
Në zyrat e Hellenic Train në Athinë u protestua nga qytetarë të revoltuar pas aksidentit në Tembi. Protesta paqësore ka pasur edhe në Larisa e Selanik, ndërsa sot në shenjë proteste nuk funksionon METRO në Athinë.