Partia e Lirisë ka reaguar në lidhje me projekt-vendimin mbi auditimin e godinave mbi 50-vjeçare, i cili do të prekë qindra mijëra shtëpi për t’i vlerësuar nëse janë të sigurta, apo duhet të shemben.
Në një dalje për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka tha se projektvendim i ri ka dalë nga sirtarët e atyre që zbatojnë me devotshmëri axhendën e shpopullimit të Shqipërisë.
Caka hodhi akuza ndaj Veliajt dhe Ramës, e cila tha se të dy ata i vendosin syrin një zone të caktuar në Tiranë; e cila është sipërfaqe e mirë për të ndërtuar një kompleks ose kullë.
Dwklarata e Partisë së Lirisë:
Projektvendimi i fundit i qeverisë Rilindase, është hapi i radhës drejt zhvatjes së pronës private me mjete shtetërore.
Edi Rama, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, si grup i strukturuar kriminal, do të grabisin me audite fiktive pronat private të qytetarëve shqiptarë.
Një projektvendim i ri, që duket se ka dalë nga sirtarët e atyre që zbatojnë me devotshmëri axhendën e shpopullimit të Shqipërisë, parashikon se godinat më të vjetra se 50 vite do të prishen me vendimin e grupeve të auditimit, që caktohen nga njësitë e qeverisjes vendore, pra do të jenë vetë bashkitë që do të caktojnë grupet e auditit, për vlerësimin e rriskut të këtyre ndërtesave.
Pra, ajo që po ndodh është shumë e thjeshtë:
1.Erion Veliaj dhe Edi Rama i vendosin syrin një zone të caktuar në Tiranë; e cila është sipërfaqe e mirë për të ndërtuar një kompleks ose kullë;
2.Rastis që aty të jetë një ndërtesë e vjetër, mbi 50 vite, të cilën banorët sigurisht nuk e lëshojnë kollaj;
3.Erion Veliaj dhe Edi Rama, caktojnë vetë, në rrethin e miqve dhe klientëve të tyre se kush do të jetë grupi ose kompania që do të testojë apo auditojë teknikisht ndërtesën;
4.Grupi auditues i grabitjes vendos që restaurimi i godinës do të kushtojë më shtrenjtë se ndërtimi i saj, prandaj duhet shembur;
5.Ky vendim do të miratohet me firmën dhe vulën e Institutit të Ndërtimit e kështu do t’i hapet rruga prishjes së mbi 96.000 godinave në të gjithë Shqipërinë, të cilat sigurisht që do të zëvendësohen nga kullat e komplekset e ndërtuesve të preferuar të Erion Veliajt e Edi Ramës.
Të gjithë duhet të kemi diçka në konsideratë: godinat që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, janë pikërisht godinat që ndodhen të lokalizuara në zonat më të shtrenjta të Tiranës, si Tirana e Re, Xhamlliku, Selvia, Shkolla e Baletit etj, pra brenda unazës së vogël të Tiranës. E njëjta gjë ndodh edhe në bashkitë kryesore të vendit.
Kjo do të thotë më shumë lekë të fituara për Edi Ramën, Erion Veliajn e klientët e tyre.
Por, ajo që mbetet më shqetësuesja në këtë projekt djallëzor, është mungesa e informacionit se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës apo me banorët, pronarë të apartamenteve.
Ky terr informativ ka vetëm një qëllim: vjedhjen dhe grabitjen e pronës së shqiptarëve, njësoj siç bënë me pronat e qytetarëve që u dëmtuan nga tërmeti.
Nuk është çudi që ky grup i strukturuar kriminal, t’i fusë rruspën edhe ndërtesave të mbrojtura nga UNESCO, meqë janë të vjetra dhe fatura e restaurimit të tyre është e lartë.
Çudira të tilla vetëm në Shqipëri mund të dëgjosh; kur e gjithë bota ruan trashëgiminë e saj kulturore dhe historike për qindra, mijëra vjet, rilindasit duan të zhdukin çdo gjurmë shqiptarie.
Ky projekt është i paralajmëruar nga opozita, ka disa vite tashmë dhe po aq I mirënjohur është edhe niveli i hajdutërisë së Rilindjes, i cili nuk njeh kufij.
Prona private duhet të jetë kufiri i fundit për këtë qeveri hajdutësh: më 3 mars duhet që secili nga ne të jetë në shesh edhe për këtë projektligj kriminal, antikushtetues e antikombëtar.
Më 3 Mars, shqiptarët duhet të jenë të gjithë në shesh për të mbrojtur një nga gjërat më të shtrenjta që njeriu ka pas jetës e familjes, pronën private, shtëpinë e tij.