Ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich ka deklaruar se qyteti Huwara në Bregun Perëndimor duhet të ‘fshihet’ nga faqja e dheut’. Komentet e Smotrich, të cilat erdhën disa ditë pasi kolonët hebrenj sulmuan qytetin në shenjë hakmarrjeje për një sulm palestinez, janë quajtur ‘nxitje për krime lufte’.
Duke folur në një konferencë biznesi të mërkurën, Smotrich u pyet pse i ‘pëlqeu’ një postim në Twitter të dielën në mbrëmje nga një këshilltar rajonal që bënte thirrje për shkatërrimin e fshatit.
Ministri tha se i pëlqeu postimi në Twitter, ‘sepse mendoj se fshati Huëara duhet të rrafshohet. Unë mendoj se shteti i Izraelit duhet ta bëjë këtë’.
Një banor palestinez i Huwara u qëllua për vdekje teksa kolonët hebrenj pushtuan fshatin për disa orë të dielën. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se dy të tjerë u qëlluan dhe u plagosën, ndërsa dhjetëra të tjerë pësuan lëndime të tjera.
Trazirat shpërthyen disa orë pasi dy vëllezër izraelitë u qëlluan për vdekje nga persona të armatosur palestinezë në vendbanimin Har Bracha, pesë kilometra larg Huëara. Vendbanimi është një nga qindra në Bregun Perëndimor, të cilat të gjitha konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Ish-kryeministri dhe lideri aktual i opozitës Yair Lapid i përshkroi fjalët e Smotrich si ‘nxitje për krime lufte’. Smotrich më vonë u përpoq të tërhiqej nga fjalët e tij, duke pretenduar se ai ‘nuk donte të thoshte që qyteti i Huwara duhet të fshihej nga faqja e dheut’, por se Izraeli duhet ‘të vepronte në një mënyrë të qartë kundër terroristëve dhe mbështetësve të terrorizmit’.