Një 45-vjeçar me iniciale A.Ç. banues në Ballsh, është shpallur në kërkim pasi policia i ka gjetur në magazinë armë zjarri kallashnikov, fishekë dhe granata dora.
Aktualisht ai ndodhet jashtë shtetit, por policia tha se vijon puna me homologët ndërkombëtarë për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
DVP Fier/Vijon kontrolli i territorit në gjithë qarkun, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, bazuar në inteligjencën informative, kanë ushtruar kontroll në magazinën e shtetasit A. Ç., ku kanë gjetur të groposura 1 armë zjarri kallashnikov, 50 fishekë luftarak dhe 6 granata dore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj magazine, shtetasi A. Ç., 45 vjeç, banues në Ballsh, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit. Vijon puna, në bashkëpunim me homologët jashtë vendit, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e 45-vjeçarit.
-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, sipas të cilit në një ndërmarrje për përpunimin e metaleve(fonderi), në Patos, shtetasi A. M., 40 vjeç, humbi jetën, për shkak të kontaktit me njërën prej furrave të pjekjes, në këtë ndërmarrje, ju bëjmë me dije se në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 36 vjeç, banues në Patos, pasi dyshohet se duke qënë drejtuesi teknik i këtij reparti fonderie, ka shkelur rregullat për mbrojtjen në punë, me pasojë vdekjen e 40-vjeçarit.
Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin Rr. T., 67 vjeç, banues në Verri, Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një shtetaseje (bashkëshortja e tij).
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit:
-G. F., 45 vjeç, banues në Fier, pasi duke qenë shofer në një kompani, ka marrë lekët e xhiros ditore të këtij subjekti, dhe është larguar;
-R. K., 27 vjeç, banues në Patos, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme, për një masë administrative të vendosur ndaj tij.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. T., 39 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ka goditur me sende të forta derën e banesës së një shtetasi (kushëriri i tij), dhe e ka kanosur atë. Nga këto veprime, si dhe për shkak të gjendjes së dehur, është dëmtuar vetë 39-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e një shtetasi (për arsye hetimi nuk bëjmë me dije emrin), pasi dyshohet se në fshatin Thanasaj, Lushnjë, gjatë natës, ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në fshatin Toshkëz, Lushnjë, ka rënë aksidentalisht mbi trupin e shtetasit B. M., 81 vjeç, porta e jashtme e banesës së kushëririt të tij. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 81-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.