Ish-kryebashkiaku i College Park në shtetin amerikan të Maryland, Patrick Wojahn, është arrestuar me akuza të shumta për posedim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve. Ndalimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi ai dha dorëheqjen.
Departamenti i Policisë njoftoi zhvillimet të enjten. Sipas një deklarate, Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar solli një llogari të dyshimtë të mediave sociale në vëmendjen e autoriteteve shtetërore më 17 shkurt. Informacioni tha se llogaria ‘posedonte dhe shpërndante pornografi të dyshuar për fëmijë’ e cila ishte ngarkuar në janar të këtij viti.
Më pas policia përdori ‘teknika të ndryshme hetimore’ për të vërtetuar se llogaria ‘i përkiste Wojahn’.
Të martën, detektivët kontrolluan shtëpinë e zyrtarit 47-vjeçar, duke sekuestruar ‘telefona të shumtë celularë, një pajisje ruajtëse, një tablet dhe një kompjuter’. Më pas u ngritën kallëzime penale kundër Wojahn, i cili përballet me 40 akuza për posedim dhe 16 akuza për shpërndarje të ‘materialit shfrytëzues për fëmijë’.
Sipas një deklarate të publikuar nga Këshilli i Qytetit të College Park, Wojahn dorëzoi letrën e tij të dorëheqjes ‘pas orarit të punës’ vonë të mërkurën. Zyrtarët e falënderuan atë për ‘shërbimin e tij të përkushtuar’ në rolin e tij si kryetar bashkie që nga viti 2015 dhe në këshill që nga viti 2007.
Në letrën e tij të dorëheqjes, e cila u bë edhe publike, ish-kryebashkiaku këmbënguli se ka ‘bashkëpunuar plotësisht dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me forcat e rendit’.
Wojahn tha se ai ‘po largohej për t’u marrë me shëndetin e tij mendor’. Ish-bashkëpunëtorët e Wojahn e përshkruan lajmin e arrestimit të tij si një ‘surprizë të plotë’, duke shtuar se çdo banor që ndihet i shqetësuar nga zhvillimet nxitet të ‘kërkojë çdo ndihmë që e ndien të nevojshme’.
College Park është një qytet me pak më shumë se 34,000 banorë dhe është shtëpia e kampusit të Universitetit të Maryland.