Autori i vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tre të tjerave, Dan Hutra nuk është penduar për asgjë, gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, e cila e la atë në burg ditën e sotme.
Dan Hutra: “I kam bërë të gjitha me vetëdije të plotë. Kur më dënuan për dhunë në familje më dënuan pa asnjë provë, ndaj i bëra të gjitha. I pranoj të gjitha dhe nuk jam i penduar. Etleva Kurtin e vrava se i vëllai deshi të më helmojë në burg.”
Dan Hutra këmbënguli që për dhunën në familje e kanë akuzuar pa qenë fajtor.
Dan Hutra: “Nuk më intereson fare, e kam mbyllur dhe pesë burgime të përjetshme të më jepni. Kërkova ADN e fëmijës por s’pranuan dhe aty më lindi dyshimi, por nuk e kam rrahur bashkëjetuesen.”
Dan Hutra: “I kërkoj sistemit të drejtësisë të mos dënojë njerëz të pafajshëm që mos përfundojnë në masakra të tilla.”
Hutra është shfaqur i qetë gjatë seancës gjyqësore dhe pa asnjë shenjë pendese.
Mesditën e 1 marsit, Hutra shkoi në Astir për të eliminuar me thikë pa shkaktuar shumë zhurmë Marjana Gurakuqin të cilën e akuzonte se nuk i kishte kthyer një shumë parash.
Falë disa klientëve që hynë në dyqan dhe reagimit të saj ajo mundi të shpëtojë me disa lëndime në dorë dhe në fytyrë. Fill pas kësaj ngjarje ai shkoi në Kodër Kamëz ku qëlloi ndaj familjes së ish-bashkëjetueses, duke lënë të plagosur ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa 60 vjeçe dhe vrarë me armë zjarri Mevlute Hysan 30 vjeçe, motrën e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, të fejuarën e vëllait të ish-bashkëjetueses.
Më pas ai shkoi në Kamëz dhe vrau motrën e kundërshtarit të tij në burg, Etleva Kurtin.
Sipas tij objektivi i radhës ishte një person me vendbanim në Kambinat, i cili sipas tij kishte shitur në vitin 1999 armën me të cilën u vra i ati në Durrës.
Por mungesa e një adrese të saktë si edhe etja dhe uria e detyroi atë të shkojë në disa biznese dhe të bjerë kështu në gjurmë të policisë që kishte orë që e kërkonte.