Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet gjatë mbledhjes elektorale guvernatori në Filipine (Video)


Guvernatori i provincës Negros Oriental në Filipinet jugore është qëlluar për vdekje nga burra të armatosur me automatikë dhe të veshur me kamuflazh të stilit ushtarak dhe jelek antiplumb. Sulmi, i fundit në një varg të shtënash që synonin politikanët rajonalë, la gjithashtu pesë civilë të vdekur.

Të paktën gjashtë burra të armatosur rëndë të veshur me ‘uniforma kamuflazhi’ hapën zjarr ndaj guvernatorit Roel Degamo para shtëpisë së tij në qytetin Pamplona të shtunën në mëngjes, duke e goditur për vdekje atë dhe pesë viktimat e tjera, tha policia.

Civilët e kapur nga të shtënat thuhet se janë fshatarë lokalë që ishin mbledhur para shtëpisë së Degamos për të kërkuar ndihmë.

Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me tre automjete sportive, të cilat më pas i kanë braktisur. Disa orë më vonë, tre burra u arrestuan nga policia Negros Oriental, e cila identifikoi dy nga të dyshuarit si ish-ushtarë.

 

“Qeveria ime nuk do pushojë derisa të nxjerrim para drejtësisë autorët e këtij krimi të poshtër dhe të urryer”, tha Presidenti Ferdinand Marcos Jr. në një deklaratë.

Gjatë muajit të fundit, guvernatori i Lanao del Sur, Mamintal Alonto Adiong Jr. u plagos në një sulm me armë që la të vdekur pesë nga truprojat e tij, ndërsa kryetari i bashkisë së Maguindanao del Sur, Ohto Caumbo Montawal, u plagos kur dy persona të armatosur qëlluan makinën e tij.

Në Filipinet veriore, nënkryetari i bashkisë së qytetit Aparri, Rommel Alameda dhe shokët e tij u qëlluan për vdekje nga burra që thuhet se mbanin uniforma policie në një sulm tjetër muajin e kaluar.

Guvernatori i vrarë, i cili për herë të parë mori detyrën në vitin 2011, u detyrua të largohej në zgjedhjet e vitit të kaluar – por u rikthye pas një rinumërimi në tetor. Vetëm dy javë më parë, Gjykata Supreme mbështeti vendimin e zyrtarëve zgjedhorë për të përmbysur rezultatin dhe për t’i dhënë Degamos votat që ishin hedhur për një kandidat tjetër me një mbiemër identik.