Presidenti Begaj e bashkëshortja e tij kanë uruar mësuesit me rastin e 7 marsit.
Ai shkruan se si ish-arsimtar është i vetëdijshëm për misionin sublime të edukimit e përçimit të dijeve të brezat e rinj.
Kreu i shtetit përkujton në urimin e tij drejtuesin e parë të Mësonjtores së parë në Korçë, Pandeli Sotirin, mësuesit Petro Nini Luarasi, Koto Hoxhi, motrat Qiriazi e qindra mësesues të tjerë.
Një falenderim të veçantë Begaj ka rezervuar për mësuesit shqiptarë në diasporë.
“Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar! Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë. Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar. Së fundmi, falenderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit. Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra!” – shkruan Begaj.