Vendosni fjalën kyçe....

OKB rekomandon rishikimin e Ligjit për Barazinë Gjinore në Shqipëri


Miratimi i Ligjit për Barazinë Gjinore gati 15 vjet më parë përfaqësoi një moment historik në përshtatjen e kornizës ligjore kombëtare me standardet ndërkombëtare.

Me kalimin e viteve, agjenda e barazisë gjinore ka vazhduar të evoluojë, duke përfshirë edhe një lëvizje të fortë feministe. OKB-ja në Shqipëri ka shfrytëzuar rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas për të reflektuar mbi këto zhvillime dhe për të avokuar për një rishikim të ligjit, i cili mund të jetë veçanërisht i dobishëm në kontekstin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sipas një komenti nga Fiona McCluney Koordinatore e Përhershme e OKB në Shqipëri.

Përmes këtij dokumenti të përbashkët të agjencive të saj, OKB-ja në Shqipëri dëshiron të ofrojë një kontribut fillestar në bisedën publike mbi rishikimin e Ligjit, i cili përfshihet si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare ekzistuese për Barazinë Gjinore.

Ligji i vitit 2008 për Barazinë Gjinore luajti një rol kyç në avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në vend. Ai prezantoi kuota gjinore për të rritur përfaqësimin e grave në pozitat e zgjedhura, kërkonte që buxhetet dhe politikat të merrnin parasysh nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave. Ligji synonte të eliminonte diskriminimin e bazuar në gjini në të gjithë sektorët e veprimit të qeverisë, duke siguruar mekanizma adekuat mbrojtës. Falë dispozitave të tij, pjesë të tjera kyçe të legjislacionit u forcuan, si për shembull për pjesëmarrjen në punë, të drejtat pronësore, përfaqësimin dhe aspekte të tjera të jetës së njerëzve.

“Një ligj i rishikuar për Barazinë Gjinore mund të kontribuojë në përshpejtimin e progresit mbi barazinë gjinore që është pjesë integrale e SDG-ve, duke përfshirë për shembull përmes fokusit të qëndrueshëm në promovimin e agjencive dhe përfaqësimit të grave nga grupet e pafavorizuara, si dhe nxitjen e investimeve në kapacitetet gjinore dhe koordinimin ndërmjet institucioneve. , si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal”, tha znj. McCluney.

Rekomandimet

Ligji për Barazinë Gjinore duhet të rishikohet për t’u përafruar edhe me disa akte ligjore progresive, të cilat trajtojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Disa prej tyre janë:

Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi: ndryshimet e vitit 2020 përmbajnë disa dispozita për përafrimin me legjislacionin e BE-së kundër diskriminimit, si zgjerimin e shkaqeve për diskriminim të lidhura me gjininë si identiteti gjinor, orientimi seksual dhe karakteristikat e seksit. Dispozita të tjera që duhet të reflektohen në Ligjin për Barazi Gjinore përfshijnë zhvendosjen e barrës së provës në ankesat që i dërgohen Komisionerit ose gjykatave nga ankuesi te pala kundër së cilës paraqitet ankesa. Komisionerit i besohet edhe monitorimi i zbatimit të Ligjit, por mungojnë detajet se si zhvillohet ky proces monitorimi dhe me çfarë burimesh.

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë: Kodi ka pësuar disa ndryshime të cilat trajtojnë edhe barazinë gjinore në zgjedhje. Kuotat gjinore të vendosura nga Ligji për Barazinë Gjinore ndikuan thelbësisht në Kodin Zgjedhor, i cili në 2015-n shkoi me tej dhe vendosi kuota gjinore prej 50 për qind për kandidatët në këshillat bashkiakë. Në 2020-n, parimet e barazisë gjinore u forcuan me prezantimin e kuotës gjinore prej 30 për qind në organet zgjedhëse të njësive kryesore të qeverisjes vendore dhe për të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Ndryshimet përfshinë refuzimin e listave të kandidatëve që nuk i përmbushnin kuotat gjinore, duke zëvendësuar sistemin e mëparshëm joefikas të gjobave. Megjithatë, rekomandimet shtesë të dhëna nga Grupi i Punës për Barazi Gjinore në Vendimmarrje24 kanë mbetur ende të papërmbushura (p.sh kuota prej 50 për qind për kandidatët parlamentarë dhe bashkiakë, ose masat për të trajtuar anshmërinë gjinore dhe dhunën ndaj grave në politikë dhe zgjedhje) dhe duhet të trajtohen në Ligjin për Barazinë Gjinore.

Ligji për Masat kundër Dhunës në Familje. Ndryshimet e vitit 2018 dhe 2020 përfshinë standarde të rëndësishme të Konventës së Stambollit dhe CEDAW-t. Prandaj, Ligji për Barazinë Gjinore duhet të njohë si diskriminim edhe dhunën në familje dhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore, dhe të sigurojë masa ligjore për parandalim dhe mbrojtje të grave, vajzave dhe djemve në këto raste.

Ligji Organik për Buxhetin: Bazuar te ndryshimet e vitit 2016 të Ligjit Organik për Buxhetin, Barazia Gjinore është një prej parimeve kryesore të sistemit buxhetor dhe udhëzimet buxhetore të publikuara çdo vit përmbajnë edhe buxhetimin e përgjigjshëm gjinor si pjesë e kritereve të buxhetit të Shtetit. Që prej viti 2019, Sistemi Informatik Shqiptar i Menaxhimit Financiar (SIMF) është përdorur si mjet gjurmues i alokimeve buxhetore të përgjigjshme gjinore dhe që prej vitit 2022, projekti- buxhetit i bashkëngjitet zyrtarisht edhe deklarata e Buxhetit të Përgjithshëm Gjinor. Kjo lejon përfshirjen e efektshme të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor në të gjitha fazat e programimit, monitorimit dhe raportimit, vlerësimit dhe auditimit afatmesëm e vjetor të buxhetit të qeverisjes qendrore. Megjithatë, një lidhje thelbësore midis Ligjit për Barazi Gjinore dhe buxhetimit të përgjigjshëm gjinor duhet të krijohet nëpërmjet akteve nënligjore për të siguruar përfshirjen cilësore të BPGj-së në sistemin e financave publike.

Ligji për Financimin e Vetëqeverisjes Vendore: Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor u prezantua si kërkesë në Ciklin e Menaxhimit Financiar të Qeverisë Vendore në vitin 2017. Legjislacioni për Buxhetimin e Përgjigjshëm Gjinor kërkon zbatimin e pikëpamjes gjinore në të gjitha fazat e financimit vendor. Njësitë e Qeverive Vendore duhet t’i trajtojnë dhe tregojnë qartë rezultatet e barazisë gjinore dhe ç’përqindje e shpenzimeve të përgjithshme shkon për mbështetjen e politikave të promovimit të barazisë gjinore.

Ndonëse Ligji për Barazinë Gjinore e lehtësoi progresin në këtë fushë, informacioni se si janë përmbushur dhe monitoruar në praktikë këto detyrime është i kufizuar, gjë që tregon se duhet të hartohet legjislacioni dytësor.

Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës: ky ligj parashikon si parim themelor të realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve barazinë dhe mosdiskriminimin, por nuk jep asnjë përkufizim të tyre, duke ua lënë kështu këtë detyrë ligjeve më të rëndësishme, si Ligjit për Barazinë Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ligji për Barazinë Gjinore duhet të rishikohet në mënyrë që të specifikohet qëllimi, përkufizimet, mbikëqyrja, masat mbrojtëse dhe mjetet ligjore të parashikuara të gjejnë zbatim njësoj për djemtë e vajzat, gratë dhe burrat.

Ligji për Ndihmën Ligjore të Garantuar nga Shteti: ligji u mundëson personave që u janë shkelur të drejtat përmes një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, përfshi edhe diskriminim me bazë gjinore, që të përfitojnë ndihmë ligjore falas nga shteti, pavarësisht statusit të tyre financiar. Ligji për Barazi Gjinore duhet ta pasqyrojë këtë mundësi dhe të koordinohet me ligjin për ndihmën ligjore lidhur me ofrimin e ndihmës ligjore për ata persona që përballen me diskriminim me bazë gjinore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor