Draftligji i ri për burimet e rinovueshme të energjisë është bërë pjesë e seancave të shumta në komisionet parlamentare ku një nga pikat më të diskutuara ka qenë ajo e rritjes së kapacitetit të instaluar të lejuar për vetëprodhuesit.
Përfaqësues të qeverisë kanë argumentuar se kapaciteti 500 kwp është i arsyeshëm edhe pse në fakt bizneset kanë kërkuar rritje të këtij limiti.
Por duket se në krah të biznesit është një sugjerim që vjen nga Këshilli i Investimeve që ka rekomanduar që ky kapacitet të shkojë deri në 1MWp pra të kemi një dyfishim në raport me atë aktual.
Në rekomandimin 6 të publikuar nga ky këshill nënvizohet sugjerohet “Ndryshimi i nenit 15.1, të ligjit Nr. 7/2017 ‘Pёr nxitjen e përdorimit tё energjisё nga burimet e rinovueshme’, duke rritur kapacitetin total të vetëprodhuesve në 1 MW”.
Pra ndryshimi kërkohet për pikën përkatëse në ligjin e vjetër teksa aktualisht pritet që të hyjë në fuqi pas kalimit të hallkave të nevojshme të miratimit ligji i ri i cili sërish kapacitetin 500 këp.
Pak kohë më parë nga ana e ministrisë u argumentua e rritja e kapacitetit për bizneset që e përdorin energjinë e prodhuar për nevojat e tyre nuk mund të tejkalojë kapacitetet duke i barazuar ato me prodhuesit për qëllime tregtimi.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi impiante deri në 2MW mund të instalohen në vend për qëllime tregtimi dhe energjia blihet përmes kontratës paraprake me shtetin sipas një çmimi të paracaktuar që vendoset nga Enti duke respektuar metodologjinë përkatëse.
Ndërkohë që subjekte të tjera mbi këtë kapacitet mund të paraqesin kërkesat e tyre për të instaluar impiante fotovoltaike por këto të fundit nuk përfitojnë nga masat mbështetës.
Ato duhet të gjejnë të vetme tregun për shitjen e energjisë ndërkohë që duhet të paguajnë pranë shtetit tarifën e koncesionit e cila negociohet në kontratë dhe përgjithësisht përmban një përqindje të prodhimit vjetor ose vlerën e njëjtë të këtij prodhimi të konvertuar në para.
Draftligji i ri për burimet e rinovueshme të energjisë edhe pse nuk ka ndryshuar pjesën kapacitetit të instaluar për vetëprodhim ka plotësuar disa kërkesa shtesë të biznesit që lidheshin me faturimin i cili tani do të jetë vjetor ndërkohë që aktualisht kemi të bëjmë me një bilanc mujor.
Mënyra sesi do të aplikohet faturimi dhe elementët teknikë shtesë të ndryshimeve ligjore të fundit pritet të saktësohen në aktet nënligjore të cilat pritet të dalin në vazhdim./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor