Vendosni fjalën kyçe....

Bankierët në Zvicër dalin në gjyq për ndihmën që i dhanë ‘portofolit të Putinit’


Një gjyq ka nisur në Zvicër për katër ish-drejtuesit në degën e Gazprombank të Rusisë në Cyrihut

Tre rusë dhe një zviceran akuzohen se kanë ndihmuar muzikantin rus Sergei Roldugin të pastrojë fondet që dyshohet se i përkasin presidentit rus.

Roldugin thuhet se ka vendosur 50 milionë dollarë në llogaritë zvicerane midis 2014 dhe 2016, pa asnjë shpjegim të besueshëm se nga kishin ardhur paratë.

Në atë kohë ai u paraqit si violonçelist me të ardhura modeste.

Ai ishte bërë i famshëm si muzikant, por nuk fitoi shuma të mëdha. Një herë ai i tha New York Times se nuk ishte biznesmen, dhe sigurisht nuk ishte një milioner.

Pra, ku i gjeti ai miliona dollarë për t’i vendosur në llogaritë bankare zvicerane?

Kjo është pyetja që prokurorët e Cyrihut thonë se duhet të bënin ish-bankierët e akuzuar. Dihej mirë se violonçelisti ishte mik i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, madje flitet se ishte kumbari i vajzës së Putinit.

Sipas ligjit zviceran, bankave u kërkohet të refuzojnë ose mbyllin llogaritë nëse kanë dyshime për mbajtësin e llogarisë ose burimin e parave.

Ata gjithashtu supozohet të trajtojnë “personat e ekspozuar politikisht” me kujdes ekstrem. Si një mik i njohur i liderit rus, duke investuar miliona në Zvicër pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe sanksioneve të mëvonshme kundër Rusisë në vitin 2014, Sergei Roldugin duhet të kishte rënë alarmin. Prokurorët do të pretendojnë se kjo nuk ka ndodhur.

Rasti po shihet si një provë se sa me rigorozitet Zvicra zbaton ligjet e saj për pastrimin e parave, të cilat, të paktën në letër, janë mjaft strikte.

Autoritetet zvicerane kanë punuar shumë në vitet e fundit për t’u larguar nga imazhi që e mban Zvicrën si një vend në të cilin edhe paratë më të pista nga diktatori më brutalist apo biznesmeni më i korruptuar mund të bëhen më të bardha se të bardhat.

Paratë e dyshimta të Z. Roldugin u zbuluan fillimisht, jo nga hetuesit zviceranë, por nga gazetarë, duke përfshirë një ekip nga BBC Panorama, të përfshirë në një hetim ndërkombëtar të rrjedhjes së të dhënave të Panama Papers organizuar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues në 2016.

Ata zbuluan prova të transaksioneve të dyshimta që përfshinin kompanitë offshore të z. Roldugin me vlerë qindra miliona dollarë, si dhe llogaritë e tij në bankat zvicerane.

Vetëm pasi u shfaqën këto prova, prokurorët zviceranë nisën hetimet e tyre. Aktakuza e tyre, tani përpara gjykatës në Cyrih, sugjeron se muzikanti po vepronte si “portofoli i Putinit”, duke kanalizuar fonde nëpërmjet kompanive false në Qipro dhe Panama në Gazprombank në Cyrih.

Katër bankierët akuzohen se kanë dështuar në testin e “due diligence”, për të mos kontrolluar – ose kanë mbyllur sytë për- burimin e vërtetë të parave të tij.

Ata të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Avokatët e tyre mbrojtës argumentuan se prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë se paratë e investuara nuk i përkisnin violonçelistit. Fakti që ai dihej se ishte mik i Vladimir Putinit ishte një arsye e mirë për të mos e pyetur për burimin e fondeve të tij, pasi pasuria e tij nuk do të ishte befasi.

Gazprombank që atëherë ka përfunduar operacionet e saj në Zvicër dhe vetë Sergei Roldugin është në listën e sanksioneve zvicerane.

Vendimi pritet më 30 mars. Nëse dënohen, katër bankierët përballen me vetëm dënime të lehta, të pezulluara deri në shtatë muaj burg. Për të siguruar një vendim fajësie, prokurorët do të duhet të bindin gjykatën se milionat e z. Roldugin në fakt i përkasin Vladimir Putinit.

Nuk është një detyrë e lehtë tani që bashkëpunimi i zakonshëm midis shteteve – në këtë rast Zvicrës dhe Rusisë – për hetimet e pastrimit të parave nuk po ndodh.

Askush nuk e di se sa shumë para kanë në të vërtetë presidenti Putin dhe ata afër tij. Paga e tij e deklaruar është vetëm pak më shumë se 100,000 dollarë, thekson aktakuza zvicerane.