Vendosni fjalën kyçe....

Metaverse planifikon shkarkimin e mijëra punonjësve – Bloomberg


Meta, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, po planifikon një seri të re pushimesh nga puna që do prekë mijëra punonjës brenda kësaj jave, raportoi Bloomberg të martën.

Nëntorin e kaluar, gjiganti i rrjeteve sociale njoftoi një plan të madh për uljen e kostove që përfshinte shkarkimin e gati 11,000 njerëzve, ose rreth 13% të fuqisë punëtore të tij. Shkarkimet e ardhshme të raportuara do të jenë përveç atyre të njoftuara më herët.

Pakësimet e stafit janë nxitur nga objektivat financiarë të kompanisë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, të cituar nga agjencia e lajmeve.

Në shkurt, CEO i Meta, Mark Zuckerberg tha se korporata e tij ishte e përqendruar në ‘shkurtimin e projekteve që nuk po paraqiten si duhet ose mund të mos jenë më vendimtare’ dhe se planifikon ‘të heqë shtresat e menaxhimit të mesëm për të marrë vendime më shpejt’. Ai e prezantoi gjithashtu vitin 2023 si ‘Viti i Eficencës’, që synon uljen drastike të kostove.

Masat pasuan një ngadalësim të mprehtë të të ardhurave nga reklamat dixhitale dhe fitimet zhgënjyese për kompaninë. Në shtator, Zuckerberg paralajmëroi stafin se Meta synonte të shkurtonte shpenzimet dhe të ristrukturonte ekipet e saj.