Vendosni fjalën kyçe....

Pranga dy të rinjve në Shkodër e Vlorë


Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar në Shkodër.

I riu me iniciale N.L. kërkohej lidhur me operacionin ‘Triple’ kundër një grupi që akuzohet për shpërndarje lëndësh narkotike.

Në operacionin e zhvilluar në prill 2022, janë arrestuar tre persona ndërsa 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim.

Në Vlorë është arrestuar një 39-vjeçar me iniciale Xh.Ll. i cili akuzohet se kishte përshtatur lokalin për lojëra fati të paligjshme. Gjatë aksionit janë sekuestruar tre pajisje kompjuterike.

Njoftimi

“Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Triple”, shkon 4 numri i shtetasve të vënë në pranga në kuadër të tij.

Operacioni “Triple” u zhvillua në prill të vitit 2022 dhe goditi shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe falsifikimin e dokumenteve, që kryheshin nga 4 shtetas që vepronin si grup.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Shkodër, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar në kuadër të operacionit “Triple”, kanë lokalizuar në lagjen “Liria”, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin:

-N. L., 32 vjeç, banues në Shkodër.

Ndaj 32-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Shtetasi N. L. u shpall në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Triple”, të zhvilluar në prill të viti të shkuar, pasi në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (të vënë në pranga), ushtronin në formën e grupit, veprimtaritë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis dhe falsifikimit të dokumenteve. Nga ky operacion, u sekuestruan sasi lënde narkotike kokainë, 4.3 kg kanabis dhe disa dokumente false.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive, vihet në pranga 39-vjeçari në Vlorë. Sekuestrohen 3 njësi kompjuterike dhe 1 aparat celular.

Gjithashtu, procedohen penalisht 2 shtetas, të cilët u kapën duke luajtur me lojëra fati të paligjshme, në këtë lokal.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe në ambiente të tjera në të cilat dyshohet se organizohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:

-Xh. Ll., 39 vjeç, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Gjatë kontrollit të lokalit që administronte shtetasi Xh. Ll., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 njësi kompjuterike që shërbenin për lojëra fati dhe 1 aparat celular që shërbente për të vënë baste sportive.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal edhe për shtetasit E. M., 23 vjeç dhe Gj. M., 37 vjeç, pasi u kapën duke luajtur lojëra fati të paligjshme, në lokalin e shtetasit Xh. Ll.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.”