Policia në Tbilisi përdori gaz lotsjellës dhe makinat ujëhedhëse të martën vonë për të shpërndarë demonstruesit që rrethuan parlamentin gjeorgjian në shenjë proteste ndaj projektligjeve që do kufizonin veprimtaritë e organizatave të financuara nga jashtë.
Megjithëse disa nga protestuesit u shpërndanë, transmetimet e drejtpërdrejta nga rrjetet televizive lokale treguan se mijëra ishin ende të mbledhur jashtë hyrjes së parlamentit në Sheshin Rustaveli, duke sfiduar urdhrat e policisë për t’u larguar.
Policia përfundimisht përparoi dhe i largoi protestuesit nga ndërtesa e parlamentit. Deri në orën 3 të mëngjesit me orën vendase, turmat ishin shpërndarë.
Më herët gjatë ditës, ligjvënësit gjeorgjianë votuan 76-13 në favor të një projek-ligji që do mandatonte të gjitha organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë të huaj. Propozimi tjetër në shqyrtim ishte modeli i FARA-s amerikane, i miratuar në vitet 1930, i cili do zbatohej për individët dhe do përfshinte dënime penale.
Partitë opozitare e denoncuan projektligjin si të stilit ‘rus’. Ata u mbështetën nga ambasada amerikane në Tbilisi, e cila e quajti kalimin e tij një ‘ditë të errët për demokracinë’ në Gjeorgji dhe tha se kjo do ‘minonte punën e rëndësishme të shumë organizatave gjeorgjiane që ndihmojnë bashkëqytetarët’.
Kreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e ka përshkruar gjithashtu projektligjin e propozuar si në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe i bëri thirrje Gjeorgjisë të mbështesë ‘demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut’.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e cila aktualisht po viziton SHBA-në, miratoi protestat dhe tha se do vendoste veton ndaj ligjit nëse ai do kalonte.
“Ky ligj nuk i duhej askujt dhe nuk vjen nga askund, vetëm nëse ka ardhur nga Moska.” – tha ajo në një mesazh video nga Nju Jorku.
Kushtetuta e Gjeorgjisë, vazhdoi Zurabishvili, thotë se detyrimi kryesor i qeverisë është ‘të fusë vendin në Bashkimin Evropian, të mbrojë rrugën e integrimit evropian’, dhe ligji në fjalë ‘po na largon të gjithëve nga Evropa’.
E lindur në Francë, Zurabishvili ishte ambasadore franceze në Tbilisi në vitin 2004, kur ‘Revolucioni i Trëndafilave’ i mbështetur nga SHBA solli në pushtet Mikhail Saakashvilin.
Ajo shpejt mori nënshtetësinë gjeorgjiane dhe u bë ministre e Jashtme e vendit. Partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, e cila rrëzoi Saakashvilin në vitin 2012, mbështeti Zurabishvilin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.