Vendosni fjalën kyçe....

Trazirat në “Air Albania”, Disiplina lë Tiranën dhe Partizanin pa tifozë


Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk i ka anashkaluar lehtë trazirat e shkaktuara nga tifozët e Tiranës dhe Partizanit në stadiumin “Air Albania”.

Përveç gjobës për vlerën e dëmit të shkaktuar Disiplina i dënoi të dyja skuadrat edhe me mungesë të tifozëve për sfidat e ardhshme respektivisht dy për Partizanin dhe 4 për Tiranën.

Vendimet:

KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/2, 65/3/c dhe 65/3/h të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Lojtari i KF Erzeni, Rejnaldo Troplini, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Bylis, Xhoele Macolli, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

FK Partizani, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 63, 64/2, 65/3/a 65/3/c, dhe 65/3/f të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i KF Partizani, Ervin Hajdari, për provokim të publikut, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF Tirana, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 64/2, 65/2, 65/3/a, 65/3/c, 65/3/f dhe 65/4/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.