Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohen biznesmenët më të pasur të Afrikës


Vlera e përbashkët neto e njerëzve më të pasur të Afrikës është rritur në 87.3 miliardë dollarë pasi pasuria e tyre ra në 81.5 miliardë dollarë vitin e kaluar për shkak të një rënieje në vlerat e kapitalit global, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

Aliko Dangote, themeluesi dhe drejtuesi i prodhuesit më të madh të çimentos në kontinent, ‘Dangote Cement’, kryeson renditjen, duke mbetur biznesmeni më i pasur i Afrikës për të dymbëdhjetin vit radhazi. Pasuria e tij vlerësohet të jetë 19.4 miliardë dollarë, tregoi indeksi.

Biznesmeni afrikano-jugor Johann Rupert u rendit i dyti, me një pasuri neto prej 12.1 miliardë dollarë. Rupert është kryetari i firmës zvicerane të mallrave luksoze ‘Richemont’, portofoli i markave të së cilës përfshin marka të tilla si Cartier, Montblanc, Chloe, Dunhill dhe Van Cleef & Arpels. Që nga fillimi i vitit, pasuria e tij është rritur me 1.19 miliardë dollarë, kryesisht falë rritjes së aksioneve të tij në Richemont, treguan të dhënat.

Nicky Oppenheimer, një tjetër afrikano-jugor, trashëgimtar i pasurisë së diamanteve ‘De Beers’, është njeriu i tretë më i pasur në kontinentin afrikan. Ai ka fituar 425 milionë dollarë që nga fillimi i vitit, duke e rritur pasurinë e tij në 8.5 miliardë dollarë. Oppenheimer mban investime të kapitalit privat në Afrikë, Azi, SHBA dhe Evropë përmes Stockdale Street me bazë në Londër dhe Tana Africa Capital me bazë në Johanesburg.

Pas Oppenheimer është manjati nigerian Abdulsamad Rabiu, themeluesi i BUA Group, një konglomerat që përfshin prodhimin e çimentos, rafinimin e sheqerit dhe pasuritë e paluajtshme. Biznesmeni i katërt më i pasur në Afrikë ka një pasuri neto prej 8.2 miliardë dollarësh.

Biznesmeni më i pasur i Egjiptit, Nassef Sawiris, u rendit i pesti. Aseti më i vlefshëm i Sawiris është 38.8% e aksioneve në grupin holandez të plehrave kimike OCI, i cili është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të plehrave azotike.

Pasuritë e tij të tjera përfshijnë 7% të aksioneve në gjigantin gjerman të veshjeve sportive Adidas, i cili vlerësohet në më shumë se 2.5 miliardë dollarë. Pasuria e tij është rritur me 198 milionë dollarë që nga fillimi i vitit në 7.34 miliardë dollarë.

Indeksi i miliarderëve të Bloomberg është një renditje e 500 njerëzve më të pasur në botë dhe llogaritet në bazë të çmimit të aksioneve të kompanive që ata zotërojnë. Lista përfshin aktualisht 19 miliarderë afrikanë.