Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price do japë dorëheqjen këtë muaj, thanë zyrtarët të martën.
“Për njerëzit në Amerikë dhe në mbarë botën, Ned Price ka qenë shpesh një fytyrë dhe zë i politikës së jashtme të SHBA-së”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë.
“Ai ka punuar me profesionalizëm dhe integritet të jashtëzakonshëm. Në emër të Departamentit, falënderoj Ned-in për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm.”
Price, i cili ka shërbyer si zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit që nga janari 2021, do marrë një rol të ri duke punuar drejtpërdrejt për Blinken, sipas deklaratës.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, të cilit iu dha anonimiteti për të diskutuar çështjet e personelit, tha se Price do merrte një rol politik të përqendruar në zyrën e Blinken, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë lloj fushe, shkruan Politico.
Price ka punuar më parë si analist i CIA-s dhe ka shërbyer si zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së Obamës.
Në deklaratën e tij, Blinken falënderoi veçanërisht Price për rikthimin e konferencave ditore të shtypit të departamentit, duke vlerësuar Price që ‘u dha gazetarëve mundësinë për të bërë rregullisht pyetje të vështira për politikën tonë’.
Vedant Patel, zëvendësi i Price, do shërbejë si zëvendësues i tij i përkohshëm, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.