Senati në Francë votoi të enjten për të rritur moshën e pensionit me dy vjet nga 62 në 64, ndërsa qeveria ka ndërmarrë një reformë për sistemin e pensioneve përballë kundërshtimit të fortë nga sindikatat.
Organi legjislativ i dominuar nga konservatorët votoi me 201 vota pro dhe në 115 kundër për të rritur moshën e daljes në pension.
Debati do të rifillojë më vonë të enjten mbi një amendament të diskutueshëm të projektligjit.
Shumica e Senatit po nxiton të përmbushë një afat të mesnatës së së dielës për të finalizuar legjislacionin.
Politikanët liberalë shprehën zemërim pas votimit.
“Emri juaj do t’i bashkangjitet përgjithmonë një reforme që do ta kthejë kohën gati 40 vjet mbrapa,” i tha socialistja Monique Lubin, Ministrit të Punës Olivier Dussopt.
Sindikatat janë zotuar të bëjnë presion mbi qeverinë duke organizuar protesta dhe greva.
Të mërkurën, dërgesat e karburantit, trenat dhe fluturimet u ndërprenë për të dytën ditë pas grevave masive.
Portet kryesore detare u bllokuan gjithashtu, pasi punëtorët e porteve ishin në mesin e atyre që iu bashkuan grevave të vazhdueshme që kërkonin të bindin presidentin Emmanuel Macron të ndryshojë kursin e projektligjit që ai ka mbrojtur.
Macron e ka vënë reformën në qendër të agjendës së tij politike, me qeverinë e tij që argumenton se rritja e moshës së pensionit dhe forcimi i kërkesave për një pension të plotë janë thelbësore për të mbajtur sistemin nga zhytja në deficit.
Franca mbetet pas shumicës së fqinjëve të saj evropianë, të cilët e kanë rritur moshën e pensionit në 65 vjeç e lart.