Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për genocid ndaj shqiptarëve.
Në një fjalim para simpatizantëve demokratë në Kavajë, Berisha tha se Rama ka shkelur nenin 3 të Koventës së të Drejtave të Njeriut të miratuar nga OKB, duke krijuar kushtet për largimin e qytetarëve nga vendi ku jetojnë.
Mes të tjerash, ish kryeministri foli edhe për projekt-vendimin e qeverisë të publikuar në 27 shkurt, ku bëhet me dije se do të ndërmerret një auditim teknik për ndërtesat të cilat kanë më shumë se 50 vite që nuk janë ndërtuar. Berisha u shpreh se kjo nismë është ndërmarrë me qëllim grabitjen e pronave të shqiptarëve dhe e konsideroi projekt-vendimin si një akt mafioz.
“Një proces e ka të hapur me McGonigalin por dosjet i ka deri në tavan. Këtu që ndron frika dhe tmerri nga PD dhe nga largimi nga pushteti. Edi Rama ka kryer genocid ndaj shqiptarëve në kuptimin e nenit 3 të konventës së organizatës së OKB-së. Ky nen thotë, krimi i kushteve të llogarituara për të larguar njerëzit nga vendi ku banojnë, është akt genocidal. A nuk është krijimi i kushteve për të larguar qytetarët shqiptarë kur ti autorizon veten për të shembur ndërtesat vetëm nëse janë mbi 50 vjeçare në një kohë kur të tilla janë mbi 300 mijë apartamente? Ky akt synon të grabisë tokat dhe pronat e shqiptarëve për të investuar mafiozët. Mora vendimin e fundit, po ai që deklaroi para mediave, që vjedh pam pam pam, ai vjedh në të njëjtën mënyrë. Një kryeministër nuk firmos kurrë në atë mënyrë, një kryeministër firmos me ligjin para, mendon 7 herë para se të firmosë një herë”-tha Berisha.
Teksa kërkoi nga qytetarët e Kavajës që të votojnë për Fisnik Qosjen si kandidatin e nxjerrë nga ‘Primaret’ e Rithemelimit, Berisha nuk ngurroi të akuzonte sërish ish kryedemokratin Lulzim Basha dhe kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enekelejd Alibeaj se këta të fundit po përdoreshin nga kryeministri Edi Rama për të shkatërruar partinë Demokratike.
“Lulzim Basha dhe Alibasha janë pengje të neveritshme të një armiku të egër të demokracisë dhe të qenies së shqiptarëve. Rama përdori këto vegla për t’i dhënë një goditje fatale PD-së. Por ai do të dështojë, së bashku me bravat dhe Alibashët që i përkasin turpit të demokracisë. Demokratë kudo që jeni, bëni zgjedhjen, zgjidhja është me PD-në, me Shqipërinë”- u shpreh Berisha.