Vendosni fjalën kyçe....

Biden propozon buxhetin më të madh ushtarak në histori


Buxheti i presidentit amerikan Joe Biden për vitin 2024 do rriste shpenzimet ushtarake në një rekord prej 842 miliardë dollarësh, sipas informacionit të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të enjten. SHBA-ja tashmë shpenzon më shumë për ushtrinë e saj sesa nëntë vendet pasuese së bashku.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, buxheti do përfshijë një investim prej 9.1 miliardë dollarësh në nismën e Pentagonit për Paqësorin, që synon të forcojë praninë e SHBA-së në rajonin e Paqësorit si një kundërvënie ndaj Kinës.

Modernizimi i arsenalit bërthamor të SHBA-së do t’i shtojë buxhetit 37.7 miliardë dollarë të tjerë, ndërsa një shumë e panjohur do shpenzohet për ndërtimin e anijeve dhe investimet në ‘teknologjitë kryesore’.

Një deklaratë e veçantë nga Shtëpia e Bardhë përmend se buxheti i Biden do përfshijë 6 miliardë dollarë për Ukrainën, megjithëse është e paqartë se nga cili departament qeveritar do vijë kjo. Deklarata për shpenzimet ushtarake bën vetëm një referencë të paqartë për vazhdimin e ‘mbështetjes për Ukrainën’.

Ndërsa nuk u publikuan hollësi të mëtejshme, kostoja e përgjithshme do arrijë në 842 miliardë dollarë, tha në një deklaratë Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin. Kjo përfaqëson një rritje prej 26 miliardë dollarësh krahasuar me vitin e kaluar dhe gati 100 miliardë dollarë krahasuar me vitin 2021.