Një 46-vjeçar i cili kërkohet nga drejtësia italiane është arrestuar në Tiranë.
Në pranga ka rënë Sulejman Seferaj, banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Barit në Itali me 6 vite e 7 muaj burg.
Ai u ndalua në rrugën ‘Abdi Toptani’ në operacionin e koduar ‘Altamura’. Pas përfundimit të procedurave pritet që Seferaj të ekstradohet drejt Italisë.
Njoftimi
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Altamura”, vihet në pranga një i kërkuar nga drejtësia italiane.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Fast Albania, për kapjen e personave në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar nga drejtësia italiane, Fast Albania organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Altamura”.
Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Abdi Toptani”, Tiranë, u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin, i shtetasit Sulejman Seferaj, 46 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Bari, Itali, e ka dënuar me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Shkelja e ligjit mbi drogat” dhe “Organizata kriminale”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 6 vjet, 7 muaj e 7 ditë burgim.
Shtetasi Sulejman Seferaj, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka ushtruar aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike të llojeve heroinë, kokainë dhe marijuanë, në zonën e Altamuras dhe në zona të tjera përreth, në Itali.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.”