Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Fierit, në mesin e 50 projekteve më të mëdha të investimeve publike më 2022


Ndonëse në hetim për korrupsion, shpërdorim të fondeve publike dhe nën sekuestro nga SPAK, inceneratori i Fierit ishte në mesin e 50 projekteve me të financuara të qeverisë në vitin 2022 sipas listës së investimeve publike te publikuara nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Edhe pse Shqipëria ka nevoja të mëdha infrastrukturore bazë të tilla si rrugë me standarde, furnizim të rregullt me ujë dhe energji të zonave rurale, qeveria orientoi fondet publike në disa projekte korruptive, të cilat edhe pse u vërtetuan si të tilla, vijuan të marrin fonde në mënyrë të rregullt nga buxheti i shtetit.

Ministria e Financave ka planifikuar për të financuar 2767 projekte të klasifikuara si “Investime” me 2022, ku inceneratori i Fierit u rendit në vendin 43-të për nga shuma e financimit.

Ky objekt u financua me 376 milionë lekë ose rreth 3.2 milionë euro, aq sa ishte programuar në buxhet. Ndryshe nga projektet e tjera të investimeve publike të cilat marrin gati 50 për qind të financimeve vjetore në muajin dhjetor, inceneratori i Fierit i ka marrë të gjitha fondet e planifikuara deri në fund të gushtit 2022.

Për shumë projekte investimesh madje janë krijuar edhe detyrimeve të prapambetura, dmth qeveria i ka vonuar pagesat, ndërsa me inceneratorin e Fierit ka treguar një korrektësi të admirueshmer.

Te tre inceneratorët që janë nën hetim nga SPAK për abuzim me fondet publike dhe pastrim parash, moszbatim të kontratave, teksa janë nga të paktat ndaj të cilave respektohet grafiku rigoroz i pagesave pa zhvilluar asnjë punim, në kundërsjhtim me rregullohet e brendshme të thesarit.

Të gjitha fondet e planifikuara ndaj inceneratorit te Fierit janë shlyer plotësisht në 8 mujorin 2022, por ne krahun tjetër 44 % e fondit total për investimet publike u alokua në dhjetor.

Më herët Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”, tha për “Monitor” se ndërprerja e pagesave te projektet e inceneratorëve lidhet ngushtë me plotësimin e detyrimeve kontraktore të koncesionarit, që duhet të dalë fillimisht nga hetimi administrativ nga Ministria e Mjedisit dhe Financave dhe vendimi i gjykatës për të konfirmuar hetimet e nisura.

“Në mënyrë që të arrijmë te ndërprerja e pagesave, duhet që vetë kontratat të përfundohen. Por, që kjo të realizohet, duhet pikësëpari të kemi një hetim administrativ të vetë institucioneve kontraktore, në mënyrë që të evidentohen të gjitha shkeljet kontraktore të koncesionarit. Kjo do t’i shërbente jo vetëm transparencës ndaj kësaj çështjeje, por mbi të gjitha do të shmangte një rrezik potencial nga ndonjë vendim jo në favor të gjykatave (të arbitrazhit dhe/ose vendase).

Projekti më i financuar nga buxheti i shtetit vitin e kaluar ishte rindërtimi i banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti me rreth 7.7 miliardë lekë, projekti i dytë më i financuar ishte Tuneli i Llogorasë me 5,5 miliardë lekë, projekti i tretë më i financuar ishin pajisje armatimi për ushtrisë me 3 miliardë lekë, projekti i katërt ishte kontrata e koncesionit PPP për ndërtimin e rrugës së Arbrit me 2,9 miliardë lekë (shiko listën bashkëngjitur me 50 projektet më të mëdha të investimeve publike me 2022).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor