Vendosni fjalën kyçe....

Nga sulmi në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg mbetën të vrarë 7 persona, autori qëlloi veten


 

Shtatë persona, përfshirë një foshnjë të palindur, u vranë nga të shtënat në një sallë mbledhjesh të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin gjerman të Hamburgut, njoftoi policia, sipas BBC.

Policia tha se personi i armatosur veproi i vetëm në sulmin e së enjtes dhe më vonë mori jetën e tij. Ndërsa motivet e tij ende nuk bëhen të ditura.

I dyshuari, i quajtur vetëm Philipp F, thuhet se kishte “ndjenja të këqija” ndaj komunitetit fetar, anëtar i së cilës ai kishte qenë më parë.

Një video ai shfaqet duke qëlluar përmes një dritareje të sallës.

Në një konferencë të premten, policia tha se katër burra dhe dy gra u qëlluan për vdekje. Të gjithë të vdekurit ishin shtetas gjermanë.

Ndërsa tetë persona u plagosën, katër në gjendje të rëndë. Një ugandas dhe një ukrainas ishin mes të plagosurve.

Një grua që ishte shtatë muajshe shtatzënë u qëllua – duke vrarë foshnjën e saj të palindur, por nëna mbijetoi.

Thirrja e parë e urgjencës erdhi në orën 21:04 me orën lokale (20:04 GMT) të enjten, për të raportuar se të shtënat ishin qëlluar në ndërtesën në rrugën Deelböge, rrethi Gross Borstel, tha policia.

Oficerët ishin në vend katër minuta më vonë dhe thuajse menjëherë iu bashkuan forcat speciale. Oficerëve iu desh të thyenin xhamat për të hyrë në ndërtesën ku ishin mbledhur rreth 50 persona.

I dyshuari – i përshkruar si “qitës sportiv” 35-vjeçar i cili kishte patentë armësh – ishte arratisur në katin e parë. “Trupi i tij i pajetë” u gjet pak më pas.

Ai kishte arritur të qëllonte nëntë karikatorë municionesh dhe 20 të tjera iu gjetën në çantën e shpinës.

Senatori gjerman Andy Grote tha se “veprimet e shpejta dhe vendimtare” nga oficerët e policisë kishin shpëtuar shumë jetë. Ai gjithashtu e përshkroi sulmin si “krimin më të keq” në historinë e fundit të Hamburgut.

Policia konfirmoi se kishte marrë më parë një informacion anonim që ngriti shqetësime për shëndetin mendor të autorit. Oficerët e kishin vizituar atë pas informimit – por nuk kishin arsye të mjaftueshme për t’i hequr armën në atë kohë

Gregor Miesbach, i cili filmoi personin e armatosur duke qëlluar nga dritarja e katit të parë, tha për gazetën Bild: “Nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Po filmoja me telefonin tim dhe vetëm nga zmadhimi kuptova se dikush po qëllonte mbi Dëshmitarët e Jehovait. .

“Dëgjova të shtëna të forta… Pashë një burrë me armë zjarri duke qëlluar nga dritarja dhe e filmova”, tha ai.

Lara Bauch, një studente 23-vjeçare që jeton afër, i tha agjencisë së lajmeve DPA se “ka pasur rreth katër të shtëna me armë zjarri – disa të shtëna janë shkrepur në çdo shpërthim – me boshllëqe që zgjasin afërsisht 20 sekonda në një minutë”.

Ajo tha se nga dritarja e saj mund të shihte një person që vraponte furishëm nga kati përdhe në katin e parë. “Burri kishte veshur rroba të errëta dhe lëvizte me shpejtësi”, shtoi ajo.

Një alarm u dërgua në aplikacionin federal paralajmërues, NINAwarn, të enjten në mbrëmje duke u thënë vendasve se “një ose më shumë autorë të panjohur qëlluan mbi njerëzit në një kishë”.

Banorëve vendas u është thënë që të mos largohen nga shtëpitë e tyre në mes të operacionit të policisë në vazhdim.