Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, ka vijuar turin e tij të takimeve. Ditën e sotme ai u takua me banorët e ‘5 Majit’ ku dëgjoi problematikat e tyre.
Këlliçi tha para tyre se do dëmshpërblente gjithë banorët që iu janë shembur shtëpitë nga Erion Veliaj.
“Unë Belind Këlliçi, para jush po ju them që do të dëmshpërblej gjithë banorët të cilëve Erion Veliaj u ka prishur shtëpitë, me vlerën e tregut pa diskutim. Nuk jeni vetëm ju, kjo ka ndodhur në Shkozë, Laprakë, Unazë të Re, Myslym Keta dhe këto shembje bëhen për t`ju vjedhur pronën qytetarëve. Ajo që ka ndodhur këtu në “5 maj” është në kufijtë e genocidit. Nuk mundesh t’u shkosh qytetarëve të tu me gaz lotsjellës, t`i terrorizosh në mes të natës, të nxjerrësh fëmijët nga shtëpitë në mes të rrugës”, u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Në zonën e “5 majit” Belind Këlliçi dëgjoi shqetësimet e banorëve që ende nuk kanë informacion se kur do t`i marrin shtëpitë e tyre dhe njoftoi se ata do të kenë përfaqësuesin e tyre në Këshillin Bashkiak.
“Ju si grup interesi, ata që janë prekur nga rindërtimi dhe projektet korruptive në zonën e “5 majit”, Laprakë, Shkozë e zona të tjera, do të kenë përfaqësuesin e tyre në Këshillin Bashkiak të dalë me propozimin tim. Premtoj se radhën tjetër do të jem me anëtarin tuaj të Këshillit Bashkiak në krah.”
Banorët thanë se po enden në dyert e gjykatave ndërsa shumë prej tyre nuk trajtohen me bonus qiraje.
“Unë sot dhe vajza jemi në gjykatë sepse kemi qëndruar në shtëpitë tona. Jemi nëpër dyert e gjykatave e dyerve të shtetit se nuk na kthejnë përgjigje. Besoj se do të jeni Kryetar i Bashkisë Tiranë në të ardhmen, ju lutem vini dorën në zemër për njësinë numër 8”, u shpreh Gjini, një prej banorëve.
Nënë Liza u shpreh se: “Më shkatërruan çdo gjë. Erdhën me gaz lotsjellës. Shtëpinë e ndërtuam pa vjedhje, me mund e djersë. Tre kate shtëpi me 12 dhoma. Veliaj nuk na ka takuar, ikën nëpër ferra. Nuk dua që shtëpitë të na jepen me short. Nëse fiton duam që të interesohesh për ne e përkrahje.”
Banorët kërkuan që Erion Veliaj të dërgohet para drejtësisë për të gjitha shkeljet që ka bërë.
“Ne jemi të djathtë e ndoshta prandaj Veliaj na ka goditur. Për ne ti je Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe nuk e vëmë në dyshim. Këtu fitorja është e sigurt. Veliaj nuk meriton asnjë votë në Tiranë. Duhet t`i shkojnë dokumentet në Prokurorinë e Tiranës, nëse nuk shkojnë do të zhgënjehem nga ju”, tha një prej banorëve.
Kandidati Belind Këlliçi premtoi auditim të hollësishëm në Bashkinë Tiranë.
“Unë prokuror dhe gjyqtar nuk marr përsipër të jem por që në atë bashki do të bëhet një audit i plotë i lejeve të ndërtimit, punëve publike, kontratave dhe inceneratorit të Tiranës, këtë ta jap premtim publik. Për inceneratorin të gjithë ne paguajmë 80 mijë euro në ditë, për një shërbim që nuk kryhet. Që do të mbajë përgjegjësi bashkia e ata që kanë firmosur, këtë ta garantoj”, premtoi Këlliçi.
Banorët ngritën shqetësim projektligjin për rivlerësimin e ndërtesave ndërsa Këlliçi tha se Veliaj e Rama synojnë të grabisin pronat e qytetarëve.
“Keni ardhur në zonën më të nxehtë të Tiranës. Këtu është grabitur puna, janë burgosur njerëz, janë dhunuar gra e burra. Nëse bëheni Kryetar Bashkie, këta qytetarë duan mbrojtje të veçantë. Janë të diskriminuar”, tha një qytetar.
“Me këtë kryetar bashkie dhe me këtë kryeministër nuk rrezikoni vetëm ju. Këta i kanë vënë syrin gjithë Tiranës për t`iu grabitur pronën qytetarëve. Ky shqetësim që keni ju është prezent në të gjithë qytetin”, u shpreh Belind Këlliçi.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës premtoi se zona e 5 Majit do të zhvillohet e nuk do të jetë më një provincë siç e cilësuan vetë banorët. Qytetarëve u garantoi zgjidhje të problematikave që u kanë vështirësuar jetesën.