Vendosni fjalën kyçe....

One Albania, imazh i ri dhe shfaqje me dronë në Ditën e Verës


Dita e Verës po afron dhe kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri ka krijuar një kalendar të mbushur me aktivitete gjatë 14 marsit.

Nga mbështetja e iniciativave kulturore lokale deri tek organizimet masive në kryeqytet, One Albania ka zgjedhur 14 marsin si ditën për të nisur “pranverën” e saj të re në tregun vendas të telekomunikacionit.

Imazhi i saj i ri do të shpaloset edhe në ngjyra të reja. Ngjyra lejla dhe e verdhë, të frymëzuara nga ndjenjat e krenarisë, prestigjit dhe njerëzores, vijnë si shoqëruese të natyrshme të vetë Ditës së Verës dhe stinës së ngrohtë që nis në 14 mars.

Aktivitetet nisin në Sheshin “Skënderbej”,  me plot lojëra dhe dhurata për të mëdhenj e të vegjël; gjithçka nën tingujt dhe muzikën e këngëtares shqiptare të mirënjohur, Enisa. Ajo do të sjellë për të gjithë audiencën e pranishme disa nga hitet e saj më të famshme në botë.

Stacioni i radhës do të jetë zona e ish-bllokut, e cila është kthyer në strehën e një tradite urbane të quajtur “Street Party”. Edhe këtu, One Albania është kujdesur që të rinjtë e apasionuar pas muzikës elektronike, të shijojnë një përvojë të plotë me argëtim, dhurata dhe aksesorë estetikë të mbushur me ngjyrat e verës.

Gjithçka do të kulmojë në Liqenin Artificial, gjatë orëve të pasdites, ku për herë të parë One Albania sjell në Shqipëri, një performancë artistike me dronë. Mbi 500 dronë do të ndezin qiellin e liqenit, me një shfaqje të organizuar për herë të parë në Ballkanin Perëndimor.

Këtë vit, Dita e Verës premton shumë dhe One Albania ofron të gjitha arsyet për të mos humbur asnjë nga festimet në kryeqytet.