Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Kriminelët lëvizin lirshëm, qeveria ka dështuar me rendin, e ka futur vendin në kaos


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka akuzuar qeverinë për krimet e fundit të ndodhura në vend.

Teksa merr shkas nga atentati i ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën ‘Don Bosko’  në Tiranë, ku ndaj lokalit të Fatjon Muratit, mikut të Endrit Dokes u qëllua më breshëri automatiku, Meta përmend edhe vrasjen e tre grave në Tiranë pak ditë më parë nga Dan Hutra.

Meta shkruan se kriminelët lëvizin lirshëm në rrugët e Tiranës dhe se përkeqësimi i rendit e sigurisë publike, që përkeqësohet ditë pas dite tregon se qeveria ka dështuar plotësisht.

Meta shkruan se qeveria e ka futur vendin në kaos ndërsa thekson se qytetarët duhet të ngrihen në këmbë për ndryshimin e madh.

“Pa kaluar dy javë nga vrasja makabër e tre grave të pafajshme krimi godet sërish, kësaj radhe duke rrezikuar në mënyrë ekstreme jetën e njerëzve të pafajshëm në lagjen e Don Boskos. Kriminelët lëvizin lirshëm në rrugët e Tiranës dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve. Kjo situatë e rendit dhe sigurisë publike, që përkeqësohet çdo ditë dhe çdo orë tregon qartë se qeverisja e rilindjes ka dështuar totalisht dhe e ka futur vendin në kaos. Qeveria nuk ka bërë asgjë për ndalimin e kriminalitetit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprave kriminale ndaj të cilave po ekspozohen të pambrojtur qytetarët shqiptarë. Qytetet tona meritojne dhe kërkojne siguri, që qeveria e inkriminuar rilindase j’ua ka mohuar për shkak të kapjes së saj nga krimi. Ndaj të ngrihemi të gjithë në këmbë për të realizuar Ndryshimin, që mbron qytetarët dhe familjet e tyre nga krimi.” – shkruan Meta.